Grubi pret në takim ambasadorin evropian Geer

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem
politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot ka
pritur në takim ambasadorin dhe shefin e delegacionit të Bashkimit
Evropian, z David Geer.

Marketing

Mbështetja për proceset e zhvillimit dhe integrimit të Republikës së
Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian me theks të veçantë avancimin
e mëtutjeshëm të proceseve reformuese dhe politikave të dialogut dhe
qëllimeve strategjike të shtetit, ishin vetëm një pjesë e bisedës mes
tyre.
Procesi i Regjistrimit ishte një nga pikat tjera që u diskutua sot mes
Grubit dhe Geer, proces ky shumë i rëndësishëm për vendin, ku
Zëvendëskryeministri i parë e njoftoi atë se Regjistrimi i popullësisë
vazhdon edhe më tej në diasporë, kurse në muajin shtator i njejti do të
realizohet edhe në teritorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me
përkrahjen edhe të opozitës dhe shoqërisë civile.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori evropian Geer shkëmbyen
mendime edhe rreth aktiviteteve që po ndërmerr Qeveria por edhe
institucionet tjera përkatëse në reformat administrative në institucione
të ndryshme për një administratë më efikase dhe shërbime më të mira ndaj
qytetarëve nëpërmjet të ndryshimeve ligjore që tashmë janë draftuar me
ndihmën e Bashkimin Europian dhe shpejtë do të dërgohen në Kuvend.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit si dhe sundimi i së drejtës në
bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë ishin poashtu pjesë e
bisedës mes Grubit dhe Geer, ku mes tjerave u diskutua edhe për një
gjyqësor më efikas, lirinë e mediave dhe funksionin e pavarur të
institucioneve, derisa kur bëhet fjalë për sundimin e së drejtës, Grubi
ka theksuar se nuk ka individë apo institucione të paprekshme dhe kështu
do të vazhdohet që të motivohen në punë të gjitha institucionet
kompetente.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi, gjithashtu gjatë këtij takimi i ka
thënë ambasadorit Geer se Qeveria mbetet e përkushtuar që të funksionon
në mënyrë gjithëpërfshirëse, të mbaj kujdes për shëndetin dhe jetën e
qytetarëve por edhe të mbaj llogari për kompanitë të cilat kanë pësuar
humbje ekonomike gjatë Pandemisë, e me këtë rast e ka falënderuar
ambasadorin Geer për angazhimin e tij në sigurimin e vaksinave për
qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku tashmë në mbarë
vendin ka nisur imunizimi masiv i popullatës me vaksina të cilat arrijnë
çdo ditë.

Zgjedhjet lokale gjithashtu ishin pjesë e bisedës gjatë këtij takimi. Të
njejtat pritet të mbahen në muajin Tetor të këtij viti dhe si proces
janë shumë të rëndësishme për vendin.

Në fund të këtij takimi, Grubi dhe Geer kanë diskutuar edhe mbi situatën
politike në vend, proceset nëpër të cilat kalon Republika e Maqedonisë
së Veriut si dhe nevoja e një vetëdije më e lartë nga ana e të gjithë
subjekteve politike për funksionim më adekuat të Kuvendit republikan, në
favor të nevojave të qytetarëve dhe implementimit të agjendës evropiane.