Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi thotë se vendi nuk ka kohë për aventura politike dhe përqendrimi duhet të jetë në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë çka pastaj e zhbllokon rrugën evropiane. Grubi shprehet optimist se në një afat të shkurtër kohor Maqedonia do të mund të hap negociatat me Bashkimin Evropian, por thotë se për të arritur këtë, vendi duhet të ketë stabilitet institucional duke kundërshtuar këtu mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në një intervistë për KosovaPress, Grubi ndër të tjera flet edhe për pozitën që do ta ketë BDI në qeverinë e re dhe për nismën rajonale “Open Ballkan”.
Grubi thotë se Kosova duhet të jetë anëtar i barabartë i Ballkanit të Hapur derisa shton se çështja me Serbinë duhet të mbyllet vetëm me njohje reciproke.
“Shpresoj në dialog intensiv midis Prishtinës dhe Beogradit, respektimin e marrëveshjeve nga të dy palët si dhe zbatimin e tyre por edhe përmbylljen e këtij dialogu me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me njohje absolute reciproke midis të dy vendeve. Republika e Kosovës është realitet, është shtet i pavarur, e ka njohjen edhe të Shqipërisë, edhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe të Malit të Zi, prandaj ka ardhur koha që edhe Republika e Serbisë ta njeh këtë realitet se Kosova nuk i takon Serbisë por është shtet i pavarur dhe duhet ta njoh ditë më parë në mënyrë që të sjell siguri, stabilitet, paqe në gjithë rajonin dhe ta mundësoj zhvillimin ekonomik të rajonit pas pengesa të tilla politike”, thotë ai.
Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut thotë se janë të interesuar që të heqin në tërësi kufirin me Kosovën por që fillimisht janë duke punuar për të pasur një kalim-kontroll të vetëm kufitar.