Qeveria caktoi ministrat që do të jenë bashkëkryesues dhe anëtarë të grupeve punuese për zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi me Bullgarinë. Zëv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytiqi, ministri i financave Fatmir Besimi dhe ai ekonomisë Kreshnik Bekteshi janë pjesë e Grupit punues që ka të bëjë me ekonominë; në Grupin për infrastrukturën dhe transportin janë caktuar Bllagoj Boçvarski dhe Goran Milevski; në grupin për eurointegrime dhe politika të gjelbërta është Bojan Mariçiq, Naser Nuredini dhe Sllavica Gërkovska ndërsa në Grupin për kulturë dhe arsim janë: Artan Grubi, Jeton Shaqiri dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska. Qeveria njoftoi se do të caktojë edhe bashkëkryesues dhe anëtarë të grupeve punuese në fushën e punëve të brendshme, mbrojtjes, shëndetësi, punë dhe politikë sociale.
Në pjesën e ekonomisë, tashmë ka propozime konkrete, të cilat do t’u prezantohen autoriteteve bullgare ditën e hënë dhe të martë.
“Në pjesën e ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe të hënën dhe të martën do të shkojmë te fqiu jonë Bullgaria me propozime konkrete, marrëveshje dhe memorandume. Do të dëgjojmë edhe propozimet e tyre dhe me siguri në pjesën e ekonomisë mund të pajtohemi shumë lehtë.”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.