Guteresh: Krizë pa precedent, rregullat normale nuk vlejnë më

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh sot paralajmëroi se tërë bota është në luftë me koronavirusin dhe se shumë vende do të jenë në recesion pas pandemisë.

Marketing

“Bota jonë përballet me armik të përbashkët. Ne jemi në luftë me virusin”, tha Guteresh përmes video konferencës.

Ai shtoi se kreativiteti, si dhe intensiteti i përgjigjes, duhet të përputhen me natyrën unike të krizës.

“Jemi në situatë pa precedent dhe rregullat normale nuk vlejnë më. Ne nuk mund të arrijmë përtej mjeteve të zakonshme në këto kohë të pazakonta”, theksoi Guteresh.

Ai u bëri thirrje liderëve botërorë të bashkojnë përpjekjet për t’u përgjigjur kërcënimit global, duke thënë se tre qëllimet kryesore janë heqja e kërcënimit për shëndetin e njeriut, mbështetja sociale dhe rindërtimi i ekonomive.

“Edhe në vendet më të pasura, ne shohim që sistemet shëndetësore bijnë nën presion”, tha Guteresh.

Ai theksoi se recesioni ekonomik i shkaktuar nga pandemia mund të ndikojë në vendet në zhvillim dhe shtoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare do të luajnë rol kryesor.

“Fëmijët gjithashtu do të paguajnë çmim të lartë. Më shumë se 800 milion fëmijë për momentin nuk janë në shkolla, ndërsa shumë prej tyre ushqimin e vetëm e kanë në shkollë. Ne duhet të sigurohemi që të gjithë fëmijët të kenë qasje deri tek ushqimi”, tha Guteresh.