Haavisto: Si kryesuese me BE-në, Finlanda pret nisjen e negociatave

Zgjerimi është hap i rëndësishëm përpara për vetë BE-në dhe shpresoj që këtë vjeshtë të merret vendim për fillim të bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kështu është shprehur nga Shkupi Ministri finlandez i punëve të jashtme, Peka Havisto i cili ndodhet për vizitë në vend vetëm dy javë para vendimit të Këshillit të Evropës për dhënie të datës për fillim të negociatave.

Marketing

Qëndrimet paraprake të vendeve anëtare të BE-së në prag të mbledhjes së këshillit të ministrave më 14 tetor, Finlanda i shqyrton nga pozicioni i shtetit kryesues me BE, por siç theksoi ministri i jashtëm finlandez, në procesin e vendimmarrjes respektohen qëndrimet e të gjitha shteteve anëtare të Unionit.

“S’mund të them nëse jam optimist apo pesimist për bisedimet, por mund të them se debati për negociatat aderuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Bruksel është intensifikuar dhe ka komente shumë pozitive”. – tha Havisto duke shtuar se BE-ja ndonjëherë lëviz shumë më ngadalë nga sa pritet, madje ndonjëherë edhe aty ka probleme me sundimin e së drejtës dhe respektimin e vlerave evropiane-tha Havisto.
Ministri i Jashtëm i vendit, Nikolla Dimitrov, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij finlandez u shpreh optimist se Finlanda do të mbahet mend si shtet në kryesimin e të cilit, vendi mori datë për fillim të negociatave me BE-në.

“Duke marrë parasysh se pas 14 ditësh vendi pret vendimin e rëndësishëm për fillimin e negociatave, shqyrtuam qëndrimet paraprake të vendeve anëtare të Unionit dhe i prezantova ministrit të jashtëm të Finlandës se ç’do të thotë një vendim pozitiv për ne, për rajonin dhe BE-në, por edhe se ç’do të thotë një vendim negativ për ne, për rajonin dhe BE-në” tha Dimitrov duke shtuar se për vendin është fat që në këtë periudhë kryesimin e BE-së e ka Finlanda, shtet që me gjithë vështirësitë e brendshme nëpër të cilat po kalon Evropa, përsëri i ka kushtuar vëmendje në vazhdimësi përkrahjes së Maqedonisë së Veriut dhe rajonit drejt rrugës evropiane. Në takim është biseduar edhe për projekte të tjera me rëndësi, me theks të veçantë tek mjedisi jetësor dhe arsimi.

Shkupi ishte stacioni i 5-të i ministrit të jashtëm finlandez gjatë turneut të tij ballkanik.

Marketing