Haradinaj: Kosova e gatshme të kontribuojë në misionet e NATO

“Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të shndërrohet në ofruese të sigurisë në misionet e NATO-së në botë”.
Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin që pati me shefin e Gardës Kombëtare Amerikane gjeneralin, Joseph L. Lengyel.

Marketing

“Ne kemi punuar shumë që të arrijmë në këtë fazë, për të qenë të gatshëm të bëhemi partner dhe të krijojmë marrëdhënie bilaterale edhe në fushën e sigurisë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

I pari i ekzekutivit kërkoi mbështetjen e ShBA-ve në procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, që sipas tij do t’i kontribuonte stabilitetit në vend dhe rajon.

“Çkado që është arritur në Kosovë është një punë e përbashkët. Jemi optimistë për të arriturat dhe për orientimin tonë” u shpreh kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë profesionale dhe multietnike ku janë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Kosova është shtëpi e të gjithëve”, ka deklaruar Hardinaj.
Ndërkaq, Gjeneralin Joseph L. Lengyel, teksa vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, siguroi se ShBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën.

Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj e nderoi Gjeneralin Lengyel me hartën e Kosovës, si shenjë respekti dhe nderimi për kontributin e tij dhe SHBA-ve në proceset me interes për Kosovën.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtnant, Rrahman Rama dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Marketing