Haradinaj: Rritja e shkallës së gatishmërisë, urdhër e jo veprim

Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se rritja e shkallës së gatishmërisë në rast të prishjes së rendit në veri është veprim dhe jo urdhër, njofton Klan Kosova.
“Rritja e shkallës së gatishmërisë nuk është urdhër por veprim”, ka thënë ai në konferencë për media pas takimit të Këshillit të Sigurisë që u mblodh pas raportimeve se në veri të Kosovës, serbët mund të shpallin autonomi në rast se nuk formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

Marketing

“Jemi në gjendje gatishmërie; në rast se ka prishje të rendit dhe ligjit, do të veprojmë”.
Haradinaj foli edhe për persona që dyshohet se sillen në veri, për çka tha se Kosova mirëpret qytetarët e lirë të botës, por reagon ndaj tyre në rast të prishjes së rendit dhe ligjit.

“Persona të dyshimtë që është konstatuar që qarkullojnë në veri, që mund të jenë nga Republika Srpska ose nga zonat tjera, ne çdo herë kemi mirëpritur ardhjen e gjithë qytetarëve të lirë të botës te ne. Janë të mirëpritur në çdo pjesë të Kosovës. Janë procedurat e udhëtimit.”.

“Nuk kemi shprehur ndonjë paragjykim”, ka thënë Haradinaj.
“Kushdo që hyn në territorin e Kosovës me qëllim qoftë shkaktimit të ndonjë incidenti të prishjes së rendit dhe ligjit, normal që do ta marrë reagimin e institucioneve të rendit dhe ligjit. Edhe këtu s’do të ketë dilema”.

Haradinaj tha se qyetarët e Kosovës, respektivisht pjesëtarët e secilit komunitet duhet të mos ndjehen të rrezikuar, pasi që kjo retorikë nuk e ka për qëllim që ta prishë rendin dhe ligjin kosovar.
“Retorika për kufijtë ose për territoret që ndodhen në Kosovë mendoj se është kundër-reagim i një retorike që vjen nga Beogradi gjoja për të drejtat e Serbisë në Kosovë më specifikisht për veriun. Pra është kundër-reagim, e kjo retorikë nuk e ka qëllimin te prishja e rendit dhe ligjit dhe sigurisë në Kosovë”.

“Për shkak të kësaj retorike, as serbët e Kosovës, as komunitet e tjera, as shqiptarët nuk duhet të ndjehen të rrezikuar. Është retorikë politike, është retorikë publike, kundër-retorikë e një retorike që vjen”.