Bashkim Aliu
KUPTIMI I NOCIONIT “HIXHRET”(SHPËRNGULJE)
Në kuptimin etimologjik, fjala “Hixhret” do të thotë: Lënie, lëshim, transferim në ndonjë vend tjetër, shpërngulje, shkëputje etj.
Por, prej të gjitha këtyre sinonimeve, kur është në pyetje vendi, përparësi ka fjala shpërngulje (migrim), dhe kjo më së tepërmi përdoret në përkthimin e fjalës arabe “Hixhret”, edhe pse, edhe fjalët tjera që i përmendëm tregojnë këtë kuptim: lënie e vendit, lëshim i vendit, largim nga vendi, transferim prej një vendi në tjetrin, e kështu me rradhë.
Në terminologjinë islame, për domethënien e Hixhretit, janë thënë definicione të shumta, prej të cilëve e veçojmë definicionin vijues: Hixhreti është shpërngulje dhe braktisje e vendit jo islam (në sistem dhe kushtetutë) kufrit dhe transferim në vendin islam, për shkak frikës së sprovës në fe dhe ushtrimit të lirë të fesë.
Ndërsa prej kuptimeve etimologjike dhe terminologjike të cilat i përmendëm, si dhe prej asaj që do të përmendim më vonë, rezulton se qenësia e Hixhretit është sinonim i largimit nga ajo që e urren Allahu i Madhërishëm dhe afrim në atë që e don dhe është i kënaqur. Apo, siç përmend Ibën Haxheri, “braktisje e asaj që ka ndaluar Allahu i Madhërishëm”.
Hixhreti, si fenomen i rëndësishëm fetaro-shoqëror, ka qenë tipar i cili i ka ndjekur njerëzit që prej Ademit [alejhis-selam]. Kështu, në bazë të domethënieve të fjalës Hixhret, gjithë Pejgamberët e Zotit kanë bërë Hixhret në rrugë të Allahut të madhërishëm.
HIXHRETI, DËSHMI E BESIMIT
Koncepti i drejtë Islam mbi definimin e besimit (imanit) sjell mirëqenie në shoqëri, e forcon karakterin e individit dhe e lufton të keqen e të ligën. Ai formon burra të cilët seriozisht do ta kuptojnë rolin e tyre në këtë botë, të cilët do të orvaten në përcjelljen e porosive të Krijuesit për mbarë njerëzimin dhe të cilët do të sakrifikojnë çdo gjë në rrugën e drejtë. Andaj, definimi i besimit në Islam është komplet dhe i përkyer, real dhe objektiv, nuk është i cunguar dhe i gjymtë, nuk përfshinë aspekte në mënyrë parciale, por ai i përfshinë të gjitha dimenzionet si tërësi.
Besimi është forca më e madhe dinamike reformuese në shoqëri. Kur ai u rrënjos në zemrat e besimtarëve, bëri që ata ta ndërrojnë kuptimin e tyre për sendet, i dha kuptim jetës së tyre, e ndryshoi kahjen e lundrimit të anijes së jetës, ua forcoi shpirtin dhe trimëroi zemrat; ai bëri që të jenë krenarë se u derdhet gjaku për ideale të larta, ta sakrifikojnë veten, familjen, pasurinë, vendlindjen dhe gjërat tjera më të shtrenjta për hirë të Islamit, gjë që tregoi se idealet e besimit janë më të shtrenjta se çdo gjë tjetër. Dëshmi për këtë është edhe Hixhreti.
“Allahu i Madhërishëm e urdhëroi komunitetin musliman të kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., që të jetë shembuj për brezat e ardhshëm në nxjerrjen e besimit në Krijuesin mbi çdo gjë. Atyre u rrezikohej identiteti fetar, besimi dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit në formën e drejtë. Së këndejmi, në rrethana të këtilla, nuk kishte vlerë toka, vendi, pasuria dhe autoriteti nëse besimi dhe parimet fetare janë të rrezikuara zhdukje. Për këtë arsye Allahu i Madhërishëm i obligoi robërit e vet që t’i sakrifikojnë të gjitha ato, nëse kërkohet, në rrugën e besimit dhe Islamit, dhe të shpërngulen-të bëjnë hixhret. Më vonë, kur u forcua ky komunitet, u rikthye ta pastrojë atdheun e braktisur nga ndryshku i injorancës, dhunës dhe bestytnive të idhujtarisë, ashtu që e çliroi Meken dhe e solli lirinë e vërtetë për njeriun me shembjen e pushtetit pagan. Së këtejmi, shpërngulja e Pejgamberit të Allahut prej Mekes në Medine, shikuar nga jashtë, dukej braktisje dhe humbje e atdheut, por në fakt ky veprim ishte mbrojtje dhe garancë për të, pasi më vonë, pasi e ngriti fortesën dhe shtetin e tij, u kthye në vendlindjen e vet për ta çliruar, i fortë dhe i përkrahur.
HIXHRETI NA MËSON PUNËN E ORGANIZUAR
Hixhreti reflekton në jetën e besimtarit në përgjithësi, e atë të thirrësit dhe veprimtarit islam në veçanti, edhe një të vërtetë të rëndësishme e të domosdoshme për arritjen e sukseseve dhe triumfeve në fushën e thirrjes islame, e ajo është bashkrenditja e punëve dhe organizimi i aktiviteteve, si dhe realizimi i objektivave sipas një programi dhe plani të përpunuar mirë nga ekspertë të fushave të ndryshme, e jo në mënyrë rutinore.
Në mësimet madhështore të Hixhretit qartë shihen frytet dhe rezultatet pozitive që solli puna e organizuar, ku të gjitha veprimet rrodhën në mënyrë të rregullt dhe sipas një strategjie të përbashkët. Po ashtu, në të u demonstrua domosdoshmëria e konsultimit dhe ndjekjes së programit dhe metodologjisë së xhematit, si dhe respektimit dhe pasimit të prijësit i cili e ndjek sunetin-rrugën e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në jetën dhe qëndrimet e tij. Kjo tablo ekspozohet qartë në skenën e shpërnguljes së Muhamedit [sallallahu alejhi ve sel-lem] dhe Ebu Bekrit [radijallahu anhu], kur Ebu Bekri nuk bëri asnjë hap pa lejen e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].
Po ashtu, edhe pse mbrojtja dhe përkrahja e Allahut të madhërishëm ishte prezente dhe e pamohueshme për Pejgamberin [sallallahu alejhi ve sel-lem], ai përsëri i mori masat e parapara preventive për mënjanimin e rreziqeve nga ana e idhujtarëve mekas, me ç’rast përpiloi një plan të përpunuar mirë sipas të cilit do të zhvillohet Hixhreti. Kjo ua bën qartë me dije misionarëve islam domosdoshmërinë e veprimit të organizuar dhe vënien e planeve të përpunuara mirë, si dhe veprimin sipas një strategjie të përbashkët valide.