Humori shqiptar me rrugët! Raporti: Tiranë-Durrës në gjendje të kënaqshme

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka publikuar së fundmi dy raporte që lidhen me kontratat e nënshkruara me kompanitë që kanë fituar të drejtën mirëmbajtjes së disa akseve në vend bazuar në performacë.

Marketing

Bëhet fjalë për kontratën A që përfshin Veriun e Shqipërisë me një gjatësi 336 kilometra dhe Kontratën B që përfshin Tiranën, Dibrën e një sërë rajonesh të tjera me gjatësi të rrjetit rrugor 286 kilometra. Ky model i kërkuar me këmbëngulje nga Banka Botërore dhe mbështetur financiarisht prej kësaj të fundit, ende mbetet pezull për shkak të rishikimit që ju bë kontratave. Këto të fundit më herët shfaqën problematika pasi gjendja reale e asetit rrugor nuk përputhej me atë të raportuar.

Tiranë-Durrës raportohet në gjendje të kënaqshme
Nëse ka një rrugë për të cilën ka ankesa, për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet, ajo është autostrada Tiranë-Durrës. Por nuk duket kështu në sytë e institucioneve zyrtare të cilat në mars si për ironi raportonin se “kushtet e asfaltit kërkojnë mirëmbajtje periodike dhe punime rehabilitimi, drenazhi mund të kërkojë punë të vogla rehabilituese kurse siguria raportohet në përgjithësi në gjendje të kënaqshme”. Kushdo që e ka përshkuar këtë rrugë së fundmi e kupton fare mirë që gjendja që paraqitet në dokumente është shumë larg realitetit.

I njëjti dokument raporton se trafiku në këtë rrugë konsiderohet të jetë i lartë (në rangun prej 20.000‐30.000 dhe në disa seksione> 30.000) në krahasim me rrugët e tjera të Shqipërisë, për shkak të bizneseve dhe zonave industriale, qendrave të mëdha tregtare dhe se rruga konsiderohet shumë e rëndësishme edhe për shkak të lidhjes me Aeroportin e Rinasit.

Qeveria raportoi pak muaj më parë se po parashikonte ndërhyrje në autostradën Tiranë-Durrës dhe vetëm hedhja e disa shtresave asfalt do të kërkonte 11 milionë euro. Por kjo sigurisht do të ishte e përkohshme pasi me një shumë të tillë nuk mund të bëhet zgjidhja përfundimtare e problematikës që ka rruga e cila do plot 30 milionë euro.

Detajet e kontratës A
Zona e projektit sipas raportit të publikuar nga ARRSH përfshin Lezhe, Shkodër, Pukë, Kukës dhe Bajram Curri, si dhe zonat kufitare Muriqan, Hani i Hotit, Vermosh (që përfaqësojnë tre kufijtë në Mal të Zi) dhe Qafe Morinë (kufiri në Kosovë).

“Ato përfshijnë dy rrugë relativisht të sheshta të tilla si SH1 (Lezhe-Hani i Hotit), dhe rrugët e vjetra kodrinore / malore të ngushta në kushte shumë të këqija, që kërkojnë rehabilitim të gjerë (SH5_Shkoder – Kukës). Rruga që mbledh më së shumti trafikun është SH1_Lezhe-Shkodër (pjesë e korridorit Veri-Jug). Të gjitha rrugët konsiderohen në mënyrë të arsyeshme afër qytetit të Shkodrës. Rrugët SH5 dhe SH22 (Qafë-Mali Qafë-Morinë) zakonisht paraqesin disa probleme aksesi dhe vështirësi në qëndrueshmërinë gjatë periudhës së dimrit, duke kërkuar mirëmbajtje të rëndë dimërore” thuhet në raport.

Kompania që do të bëjë mirëmbajtjen sipas kontratës është bashkimi i GECI l.t.d dhe Bioliap a.t.e.v.e për një vlerë 21.2 milionë euro.

Detajet e kontratës B
“Rrugët sipas kontratës B sipas ARRSH, janë të vendosura në Tiranë (duke përfshirë Durrësin) dhe rajonet e Dibrës dhe lidhin qytetet e Tiranës, Fushë Krujës, Lezhës, Peshkopisë, Durrësit dhe Rrogozhinës.

“Ato përfshijnë rrugë relativisht të reja të sheshta në gjendje të mirë dhe rrugë të vjetra
kodrinore / malore në kushte të kënaqshme dhe të këqija (SH6_Skuraj-Peshkopi), që
kërkojnë rehabilitim të gjerë. Rrugët që mbledhin pjesën më të madhe të trafikut janë
SH2_Tirana-Durrës (pjesë e Korridorit Veri-Jug dhe lidhja e kryeqytetit me portin kryesor të vendit), SH1_Tirane-Lezhe (pjesë e Korridorit Veri-Jug) dhe SH4_Durres-Rrogozhine pjesë e korridorit Veri-Jug).

Të gjitha rrugët ndodhen në mënyrë të arsyeshme pranë Fushë-Krujës, pa probleme të aksesit ose ndonjë rrethanë tjetër të veçantë që ta bërë mirëmbajtjen e tyre veçanërisht të vështirë, me përjashtim të rrugës SH6, e cila është e ngushtë dhe kodrinore dhe shpesh kërkon pastrimin e borës dhe me prezencë të akullit, si dhe rrëshqitjet e tokës janë të pranishme në disa pjesë” thuhet në raport.

Edhe në këtë rast fitues i kontratës 5 vjeçare është i njëjti bashkim kompanish GECI l.t.d dhe Bioliap a.t.e.v.e për një vlerë 19.6 milionë euro. /Monitor

Marketing