Hutchison: SHBA në vjeshtë do të ratifikoj anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara në NATO, Ambasadorja Kay Bailey Hutchison duke folur nga Brukseli përmes video-konferencës, theksoi rolin e NATO-s në 70 vjetorin e themelimit të organizatës. Ndërkaq, ajo la të kuptohej se SHBA do ta ratifikonin në vjeshtë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Marketing

Huthison theksoi nevojën për shtimin e mbrojtjes në rajonin e Detit të Zi, ku Rusia ka ushtruar agresion ndaj Ukrainës, siç tha ambasadorja. Ajo shtoi se Rusia po vazhdon përpjekjet për destabilizimin e Ukrainës, se po e mban dhe militarizon Krimenë, që është pjesë e Ukrainës.

Hutchinson tha se është e papranueshme ajo që ndodhi me ndalimin e anijeve ukrainase dhe zënien rob të marinarëve ukrainas në Ngushticën e Kërçit dhe dërgimin e tyre në burgjet e Moskës. “Do të bëjmë më tepër vëzhgime, do të kemi më shumë anije të NATO-s në Detin e Zi”, paralajmëroi ambasadorja amerikane.

Në lidhje me Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike, ambasadorja Hutchison tha se miratimi nga parlamentet e 29 vendeve të NATO-s merr kohë, sepse çdo parlament ka procedurat e veta.

“Pres që ne (SHBA) ta bëjmë në vjeshtë. Kështu do të donim të bëhej. Mendoj që Kongresi ynë është për miratimin e protokollit, ashtu sikurse edhe Senati. Kur të njihen me përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të realizuar reformat që e bëjnë të ligjshme për anëtarësimin, mendoj se ligjvënësit amerikanë do ta miratojnë anëtarësimin në NATO të Maqedonisë së Veriut”, – tha ambasadorja amerikane në NATO.

Marketing