I rëndësishëm produktiviteti në punë, jo orari

Nëse ka një të vërtetë universale në lidhje me produktivitetin, ajo është: jo gjithçka funksionon njësoj për të gjithë dhe ka të njëjtin rezultat.

Sipas një studimi të fundit, të publikuar në Business Insider, janë listuar disa prej zakoneve, të cilat nga një pjesë e madhe njerëzish mund të konsiderohen si të dëmshme në lidhje me nivelin e produktivitetit të tyre, por të cilat në fakt nuk janë aspak.

Marketing

Regjime të ndryshme

Nëse ju ngriheni në mëngjes në orën 05:00, bëni fizkulturën e mëngjesit, meditoni dhe jeni në punën në orën 08:00, nuk do të thotë se jeni më produktivë se një koleg tjetër i juaji i cili mund të nisë punën në orën 10:00, apo edhe më vonë.

Ka nga ata njerëz, të cilët janë më produktivë gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa disa të tjerë gjatë orëve të darkës. Prandaj këshillohet që më mirë të punoni gjatë atyre orëve në të cilat ju jeni më produktiv sesa të rrini përpara kompjuterit pa bërë asgjë.

Të mos e zbrazni inbox-in tuaj

Çdokush ka një qasje të tijën në lidhje me postën elektronike dhe secili e menaxhon atë ashtu siç mendon se është mënyra më e mirë e mundshme.

Pos sipas Laura Vanderkam, autorja e disa librave mbi menaxhimin e kohës në mënyrë sa më produktive në punë, jo domosdoshmërisht email-i duhet të zbrazet, madje një gjë e tillë mund të jetë në dëm të punës suaj, sepse nëse ju do të donit t’i riktheheshit një email-i të një jave më parë nuk do të mund ta gjenit më atë.

Të punoni me orar të shkurtuar

Profesori Robin Ely, autor i librave dhe studimeve të ndryshme shprehet se jo e gjithë koha që punonjësit shpenzojnë në punë është në mënyrë produktive. Ajo shprehet më tej se është një ide e gabuar qëndrimi përpara kompjuterit për 8 orë me radhë, vetëm e vetëm për të justifikuar 8-orarëshin. Prandaj nëse ju e përfundoni punën tuaj më herët se të tjerët nuk do të thotë se punoni më pak se ata.

Tavolinë pune e rrëmujshme

Sipas një studimi të fundit të kryer në vitin 2016 në Kaliforni, njerëzit që karakterizohen si të rrëmujshëm, që kanë një tavolinë pune jo të sistemuar, janë edhe më produktivët. Por kjo nuk do të thotë që ju të arrini në atë pikë, ku të mos keni asnjë hapësirë të lirë në tavolinën tuaj dhe të arrini deri aty sa t’ju tërheqin vëmendjen mbi një fakt të tillë.

Të lini punë të papërfunduara

Sipas të dhënave të nxjerra nga një kompani produktiviteti, iDoneThis, rreth 41 për qind e punëve mbeten të papërfunduara, dhe sipas psikologut Art Markman, kjo gjë është më se normale. Markman vazhdon më tej duke thënë se hedhja në letër e të gjithë punëve që ju keni për të bërë është një prej metodave më të mira dhe më efikase për t’i memorizuar ato, sepse ditën tjetër nuk do t’ju duhet që të kontrolloni email-et e një apo disa ditëve më parë për t’u kujtuar në lidhje me punët që nuk i keni përfunduar ende, por thjesht shfletoni axhendën tuaj orientuese.

Të ndiheni të stresuar

Shumica e njerëzve, për të mos thënë të gjithë, e shohin stresin si diçka që duhet shmangur medoemos.

Por sipas psikologes, Kelly McGonigal, stresi ju bën mirë por ama deri në atë nivel në të cilin ju mund ta menaxhoni atë lehtësisht. Nuk është keq nëse ju stresoheni për një projekt të caktuar, sepse doni që ai projekt të dalë më së miri. Nuk është keq nëse ju stresoheni në lidhje me pritjen e rezultateve në lidhje me një projekt të caktuar, rezultate të cilat shpresoni që do të jenë pozitive. Pra stresi, deri diku, është edhe një nxitës mjaft i mirë.