Ballina Lajme Maqedoni Ibrahimi: “Rrushi ka nisë me u pjekë”

Ibrahimi: “Rrushi ka nisë me u pjekë”

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Marketing

Sa më shumë që afrohen zgjedhjet, aq më shumë tensionohet skena politike
në kampin shqiptar në RMV. Për të larguar mjegullën dhe për të shpjeguar
se si qëndrojnë punët saktë, këtu më poshtë po japim disa shpjegime.

PR në partinë SORAVIA

Meqë BDI-ja, gjegjësisht SORAVIA, për herë të parë e ndjen se i ka
skaduar afati dhe se pas këtyre zgjedhjeve do të përfundojë në opozitë,
që të mund të shpëtojë nga kjo, sepse bëhet fjalë për qindra miliona
eurot e kazinove që i kontrollojnë eksponentët e lartë të kësaj partie,
si edhe për qindra milionat e autostradave, ata – si rëndom – edhe kësaj
radhe do të shpikin një narracion të ri. Derisa në zgjedhjet e kaluara
narracioni ishte “Koha për kryeministrin shqiptar! Pse jo?!”, që
përfundoi si mashtrim në ditën e formimit të qeverisë së re, kur në
pyetjen se “Ku është kryeministri shqiptar?”, kreu i SORAVIA-s bëri me
shenjë kah Zaevi që ta zëvendësojë fjalinë “Ja kryeministri shqiptar!”,
në zgjedhjet që vijojnë përgatitet një marifet tjetër zgjedhor.
Kësaj radhe narracioni do të jetë “Të bashkohemi ne shqiptarët në RMV
dhe të mos lejojmë që forcat antieuropiane e proruse ta orientojnë
vendin kah Rusia e Kina. Ne duhet të bëhemi bashkë, pa dallim partie, sa
më shumë e në një listë, që të mund të marrim 30 deputetë, që cilado
parti maqedonase që fiton, të mos mund të bëjë qeveri pa shqiptarët,
ngase ne shqiptarët do të kushtëzojmë dhe do të bëjmë qeveri vetëm me
parti proeuropiane.”.
Natyrisht, një narracion i bukur, që hahet këndshëm dhe shijshëm, veçmas
për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, që nuk i dinë rrethanat te ne,
ndërsa për neve që jetojmë këtu, nënteksti i këtij narracioni është:
“Ne, BDI-ja, patjetër duhet të mbetet në pushtet përsëri, se ndryshe nuk
mund ta mbrojmë biznesin e kazinove, nuk mund të marrim milionat e
autostradave, nuk mund t’i mbrojmë bizneset e tipit SORAVIA e EUROVIA
(të tjerat akoma nuk janë publikuar) dhe vetëm duke qenë në pushtet kemi
mundësi që me shantazhin që e bëjmë përmes prokurorëve e gjykatësve që i
kemi vendosur ne, mund të mbijetojmë.”.
Kush e ha, i bëftë mirë! Kush e kupton mashtrimin, ka shpëtuar!

Repriza e dramës “Zgjedhjet 2016” me aktorë të rinj

Në vitin 2016-të, kur Lëvizja BESA pritej t’i fitojë zgjedhjet, doli në
skenë LRPDSH-ja, u rikthye nga vdekja klinike RDK-ja me Vesel Memedin
dhe doli partia UNITETI me Gëzim Ostrenin. Përkundër asaj se edhe zogjtë
e malit e dinin se nëse ato zgjedhje LRPDSH-ja bëhej bashkë me Lëvizjen
Besa, kjo nënkuptonte fitore të zgjedhjeve, kreu i atëhershëm i
LRPDSH-së, për arsye që vetëm ai i di, ndërsa ne i supozojmë, me dëshirë
ose me naivitet ia bëri shërbimin Ali Ahmetit, duke bërë një bllok
tjetër opozitar, të quajtur Aleanca për Shqiptarët, ku u përfshin ato
tri parti, ndërsa Lëvizja Besa doli vetë në zgjedhje. Epilogu dihej –
vota opozitare, ndonëse më e madhe se vota e BDI-së, u përça dhe,
rrjedhimisht, qeverinë e bëri BDI-ja, duke e shpërblyer me disa muaj
qeverisje LRPDSH-në, duke e shpërblyer Vesel Memedin me një post
ambasadori në Romë dhe duke e shpërblyer me ndonjë bord e me ndonjë
botim libri Gëzim Ostrenin.
Tash, kur përsëri po shihet se vota opozitare është në treshen AlternAtivA-Besa-Lëvizja Demokratike, synohet të sajohet një skenar
afërsisht i njëjtë. Kështu, LRPDSH-ja e atëhershme (tash Aleanca për
Shqiptarët) tashmë është bashkë me BDI-në dhe, sipas të gjitha gjasave,
del me lista të përbashkëta me të, rolin e Gëzim Ostrenit e ka marrë
Arjanit Hoxha me partinë e sapoformuar PDE, ndërsa rolin e Vesel Memedit
(mbase me premtimin për ambasador kah Stambolli) e ka marrë ky deputeti
me dy-tre emra (Skenderbegzejd), që dikur ishte deputet i Alternativës.
Hesapi që bëhet aktualisht është “A më mirë është për SORAVIA-n që krejt
këto parti t’i marrë ajo në listën e saj të përbashkët apo ta krijojë
edhe një bllok tjetër ‘opozitar’ ku do jetë ASH-ja, Arjanit Hoxha dhe
Skenderbegzejdi?”. Varësisht si u dalin analizat e sondazheve, ashtu do
të jetë edhe vendimi.

Përçarjet e reja

Përveç kësaj, përmes mjeteve që i mbajnë nën hije dhe i shtypin kur të
duan, gjatë kësaj kohe do të shohim se si do të lindin “të pakënaqur” në
secilën parti opozitare.
Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit veç ia hoqën një pjesë, natyrisht
“duke e bindur” Blerimin, Nevzatin dhe Musën se sa “e rëndësishme është
të jesh në anën europiane”, këtë ia bënë edhe Lëvizjes Besa me heqjen e
një deputeti dhe të zëvendëskryetarit të saj, ndërsa në proces e sipër
kjo është edhe te Alternativa. I mbledhin dy-tre aktivistë, rëndom të
kapur me pelë për dore nëpër skandale ose të manipuluar me narracione
religjioze, dhe i nxjerrin në konferenca shtypi për të shprehur
pakënaqësi, për “ta ngrirë aktivitetin” etj., gjithë kjo për të krijuar
panikun se “s’ka gjë nga kjo opozitë dhe se Ali Ahmeti i fiton
zgjedhjet”. Për fat të keq, në këso gracka kanë rënë edhe njerëz që
mbajnë pas vetes bagazh intelektual, ndërsa janë edhe deputetë. Madje,
më keq se kaq, SORAVIA ka arritur të instrumentalizojë edhe njerëz të
tjerë, që duken si jopolitikë, por të cilët agjendë ditore e kanë të
shkaktojnë përçarje në favor të SORAVIA-s.
Dëshpëruese në këtë rast është edhe qasja e Aleancës për Shqiptarët, e
cila është BDI-zuar kaq shpejt e kaq keq. Kështu para disa ditësh
këshilltarit të Alternativës tonë në Tetovë i thonë se do ia
transferojnë vendin e punës në Ministrinë e Drejtësisë nga Tetova në
Shkup, ndërsa në të gjitha degët e Alternativës nuk reshtin presionet në
punë aty ku janë drejtues njerëz të ASH-së, qoftë edhe për një fotografi
të publikuar me dikë të Alternativës. Po ashtu vazhdojnë joshjet me
vende pune, prishje kontratash e lidhje kontratash, aq sa e kanë habitur
edhe BDI-në bile, si mjeshtre e këtyre marifeteve.

Epilogu

Kur i lexon këto informacione, një votues ordiner dëshpërohet dhe i
duket betejë e vështirë. Edhe ne që jemi në këtë luftë e dimë se sa
vështirë pranon Ali Ahmeti të shkojë në opozitë, sepse opozita për të
mund të nënkuptojë edhe përballje me drejtësinë për krejt pasurinë e
zhvatur gjatë këtyre viteve, ndërsa ai në këtë moshë që është nuk ia
merr mendja të shkojë në Budapest te “miku i tij”. Prandaj, ai nuk do të
lë gur e dru pa përmbysur vetëm që të mos shkojë në opozitë.
Megjithatë, siç e tha kryetari ynë, Afrim Gashi, “molla është pjekur dhe
ka ardhur koha të bie”. Partinë SORAVIA mund ta shpëtojë nga opozita
vetëm nëse në Maqedoni të Veriut bëhet qeveri e zgjeruar, ku edhe ajo
parti mund të jetë në qeveri, e për çka gjasat janë 0%. Në të kundërtën,
pas zgjedhjeve BDI-ja shkon në opozitë, ndërsa gjithë nomenklatura e
krimit dhe korrupsionit, e ndërtuar ndër vite, mund të përfundojë në
Idrizovë.
Konstatimet e konfirmuara janë se:
Konstatimet e konfirmuara janë se:
– Krejt sondazhet e nxjerrin se opozita tripalëshe e fiton BDI-në në
zgjedhjet e ardhshme.
– SHBA-ja po fut në listë të zezë eksponentë të lartë të kësaj partie.
– Drejtues të lartë të kësaj partie refuzohen për vizë amerikane.
– Publikohet rrjeti i bizneseve qindramilionëshe të familjes Ahmeti.
– Çdo ditë zbulohen skandale të korrupsionit dhe biznese të zeza të
njerëzve të kësaj partie.
– Zyrtarë të kësaj partie akuzohen për biznes me narkotikë.
– Ambasadorja e SHBA-së shpreh shqetësim për mënyrën e zgjedhjes së
kryeprokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Kjo është arsyeja që Arben Taravari e ka kohën e fundit që të
kthjellohet dhe të vendosë se kujt do t’i bëjë shërbim në këto zgjedhje.
Nuk ka shumë filozofi në këtë kohë: o je me SORAVIA-n e në shërbim të
saj o je me popullin shqiptar e kundër SORAVIA-s? Kaq e thjeshtë është
kjo punë.
“Rrushi ka nisë me u pjekë”.

Marketing
Exit mobile version