Pas Samitit për Ukrainën që u zhvillua këtë të mërkurë, Tirana do të mirëpresë ditën e nesërme një tjetër samit të rëndësishëm, atë të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Në fokusin e samitit BE-BP do të jetë paketa 6 miliardë euro e fondeve që Bashkimi Europian do të shpërndajë në formën e ndihmave, kredive dhe granteve për projekte të caktuara, për 6 vendet e rajonit.
Teksa në samitin e sotëm ku mori pjesë edhe Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, Kosova u përfaqësua nga Presidentja Vjosa Osmani, në samitin e së enjtes nuk do të vijë në Tiranë asnjë prej liderëve të Prishtinës zyrtare.
Edhe pse ishte përfolur se do të kishte një përballje midis Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtit, e ndoshta edhe një takim nën ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama, emri i shefit të qeverisë kosovare mungon në listën e pjesëmarrësve që ka publikuar Kryeministria.
Një tjetër mungesë është ajo e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, teksa nga Brukseli duket se kanë zgjedhur të përfaqësohen me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Ndërkohë për herë të parë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, do të jetë pjesë e një samiti të rëndësishëm, Talat Xhaferi.
LISTA e PJESËMARRËSVE:
Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë
Aleksandër Vuçiç – President i Serbisë
Milojko Spajiç – Kryeministër i Malit të Zi
Borjana Kristo – Presidente e Këshillit të Ministrave të Bosnjes dhe Hercegovinës
Talat Xhaferi – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Oliver Varhelyi – Komisioneri i BE-së për Zgjerimin
Majlinda Bregu – Sekretare e Perëgjithshme për Bashkëpunimin Rajonal
Danijela Gacevic – Drejtuese në detyrë e CEFTA-s
Gert Jan Koopman – Drejtor i përgjithshëm i grupit negociator të KE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin
Xiaoqing Yu – Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor
Charlotte Ruhe – Drejtori menaxhues i BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore
Matej Zakonjsek – Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit për Transportin
Maja Pishkeviq – Qendra e Evropës në Këshillin Atlantik dhe përfaqësuese e qendrës në Ballkanin Perëndimor
Alessandro Bragonzi – Kreu i përfaqësimit rajonal për Ballkanin Perëndimor në Bankën Evropiane të Investimeve (EIB)
Lulzim Rafuna – Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Kosovës
Ines Muçostafa – Kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
Andi Dobrushi – Drejtor Ekzekutiv i OSFA