Presidenti në detyrë i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se ka qenë nder dhe privilegj për të që të shërbente për pesë vjet në krye të shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, Meta ka uruar më të mirën për kombin.
“Ishte një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja këto pesë vite si President i Republikës të Shqipërisë. Uroj për atdheun dhe kombin tonë më të mirën! Paqe dhe mbarësi për çdo familje shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, ka shkruar ai.
Gjatë pasdites të së dielës, Meta i dorëzon zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës, pasardhësit të tij, Bajram Begajt.
Në orën 18:00, Begaj do të betohet përpara parlamentit ku u zgjodh në 4 Qershor dhe në orën 19:15 do të drejtohet drejt selisë presidenciale ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e dorëzimit të zyrës së presidentit nga Ilir Meta te Bajram Begaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Institucionit të Presidentit, do të marrë pjesë të dielën në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë.