Imuniteti i Veljanovskit brenda tre ditësh shqyrtohet në seancë plenare

Çështja e imunitetit të ish-kreut të Kuvendit dhe deputet aktual nga radhët e VMRO-së, Trajko Veljanovski, pritet që të shqyrtohet në seancë plenare në Kuvend. Për sot, kjo temë nuk figuron në rendin e ditës së Legjislativit, ndërkohë që sipas rregullores duhet të vendoset më së voni tre ditë pas pranimit të raportit nga ana e Komisionit përkatës parlamentar.

Marketing

Ky raport është dorëzuar mbrëmë vonë nga ana e Komisioni Parlamentar për Rregulloren e Punës dhe Çështjeve të Mandateve, i cili nuk e votoi heqjen e imunitetit për Veljanovskin  dhe votimi përfundoi 4:4.

Çështja e imunitetit parlamentar për Veljanovskin vjen pasi ai, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski u ndaluan për të marrë në pyetje të dyshuar për të qenë pjesë e organizimit të ngjarjeve të 27 prillit. Veljanoski e përdori imunitetin parlamentar, ndërsa Janakieski dhe Ristovski kishin një masë paraburgimi.