Inspektorët e tregut në terren, kontrollojnë importuesit e pemëve dhe perimeve

Nga mëngjesi mbi 30 inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut ndodhen në terren në të gjithë territorin e vendit dhe po kryejnë kontrollin e importuesve të perimeve dhe frutave. Inspektorët e IShT-së veprojnë në koordinim me Drejtorinë e Policisë Financiare dhe atë të të Ardhurave Publike, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dje bëri të ditur se çmimet e pemëve dhe perimeve të ngrira që nga e mërkura do të korrigjohen javën e ardhshme dhe do të ketë rritje apo ulje të lehtë, por asnjë nga produktet që janë pjesë e vendimit të kësaj jave të qeverisë nuk do të ketë çmim më të lartë se 100 denarë.

Ai shtoi se korrigjimi do të jetë në përqindje, gjegjësisht sa janë rritur çmimet e importit të produkteve të caktuara, do të rritet edhe çmimi i ngrirë në përqindje. Korrigjimi do të jetë sipas mënyrës se si janë paraqitur çmimet doganore nga 28 marsi e deri më tani.

Bekteshi tha gjithashtu se sipas të gjitha të dhënave është konstatuar nga Ministria e Ekonomisë se shumica e importuesve në muajt e fundit kanë dhënë fatura të ndryshme në Dogana dhe faturat me të cilat kanë blerë produktet në vendet e rajonit kanë qenë të ndryshme. Ata donin të shmangnin detyrimet doganore dhe për këtë arsye Drejtoria doganore kishte për detyrë të bënte kontrolle të hollësishme dhe t’i krahasonte ato me homologët e tyre nga vendet e tjera.

Lidhur me faturat e mundshme të dyfishta nga importuesit, ministri u kujtoi atyre se evazioni fiskal mbi 10 mijë euro është vepër penale dhe pret që Drejtoria doganore të veprojë sipas kompetencave të saj.

Këtë javë qeveria mori vendim për ngrirjen e çmimeve të 11 llojeve të frutave dhe perimeve. Në vendimin e Qeverisë thuhet se domatet duhet të shiten për maksimum 70 denarë. Çmimi më i lartë i trangujve të freskët duhet të jetë 75 denarë, qepëve 60 denarë, lulelakrës 70 denarë, specave 90 denarë. Çmimi i fasules nuk duhet të jetë më i lartë se 75 denarë, kurse i thjerrëzave 110 denarë. Sa i përket frutave, bananet duhet të kushtojnë 70 denarë, mandarinat 60, kurse çmimi më i lartë i portokallit dhe limonit 55 denarë.