INSTAT: Çmimet e importit bien lehtë, kostot e prodhimit vendas rriten
Kostot e produkteve të importuara kanë shënuar një rënie të lehtë gjatë tremujorit të dytë të vitit, ndërsa çmimet e prodhimit në vend kanë vijuar të rriten. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e dytë, Indeksi i Çmimeve të Importit arriti në 107,5 pikë, me një rënie vjetore prej 0,1%.
Rënia e çmimeve është ndikuar kryesisht nga energjia elektrike, gazi dhe ajri i kondicionuar, me 2,2%, ndërsa në industrinë nxjerrëse ulja ishte 0,2%. Edhe industria përpunuese shënoi një rënie minimale.
Në terma tremujorë, çmimet e importit mbetën pothuajse të pandryshuara.
Ndërkohë, ndryshe paraqitet situata për kostot e prodhimit vendas.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti në 130 pikë dhe u rrit me 0,1% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025.
Rritja më e madhe, me 0,4%, u regjistrua në industrinë përpunuese dhe në sektorin e furnizimit me ujë.
Brenda industrisë përpunuese, çmimet e produkteve të plastikës dhe produkteve ushqimore u rritën me 1,5%.
Për tregun vendas, çmimet e prodhimit u rritën me 0,3% në bazë vjetore, ndërsa eksportet shënuan rënie me 0,3%.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit, çmimet e prodhimit u rritën me 0,1%, duke treguar se presionet mbi kostot e prodhimit vijojnë të mbeten të pranishme.
Burimi: botasot.info / Aktuale.mk
