Institucionet pa kapacitete për përballjen me zjarret

Edhe pse për momentin temperaturat nuk janë të larta krahasuar me vitet e fundit megjithatë institucionet po ndërmarrin masat e nevojshme për përballje me zjarret e mundshme por se sa do të kenë sukses mbetet të shihet duke marr parasysh problemet me mungesën e mjeteve dhe fondeve të nevojshme.

Marketing

Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim ka mungesë të resurseve njerëzore si dhe me mungesë të mjeteve teknike për t’ju bërë ballë situatave të tilla. Buxheti i kësaj Drejtorie është rreth katër milion euro, shumë e cila sipas drejtuesve, nuk është e mjaftueshme për tu përballur suksesshëm me situata të jashtëzakonshme.

Ky institucion kërkon shumë punë, shumë mjete. Ajo që gjetëm vërtetë ishte dëshpëruese, mjetet materiale dhe teknike ishin të viteve 70 të cilat kanë qenë donacion nga vendet e jashtme. Është në rrjedhë e sipër ekipimi kadrovik i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim si dhe furnizimi me pajisjet më të nevojshme më prioritare teknike.

Nuk janë të mjaftueshme këta mjete por do të bëhen analiza për nevojat që ka ky institucion që buxheti i vitit të ardhshëm të krijohet në bazë të a analizave – deklaroi Adnan Xhaferovski, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ligjërisht, intervenimi i parë në rast të katastrofave natyrore i takon komunave. Kreu i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim thotë se gjatë viteve të kaluara këto njësi kanë qenë jashtë funksionit, gjë e cila ka çuar deri në mosmenaxhimin profesional të gjendjeve të jashtëzakonshme.

I ngritëm njësite e vetëqeverisjes lokale të cilët për gjithë këto vite ishin në gjumë, nuk kishin as shtabe të formuara, nuk kanë pasur forca të formuara për mbrojtje dhe shpëtim. Një pjesë e madhe e tyre e kanë kryer këtë punë dhe mendoj se këtë sezon jemi shumë më të përgatitur në krahasim me vitin e kaluar – tha Adnan Xhaferovski, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Vitin e kaluar vendi u përfshi nga qindra zjarre ku me përmasa më të mëdha ishin ato në territorin e fshatit Kondovë të komunës së Sarajit i cili u shua tërësisht, por vetëm falë reshjeve të shiut. Zjarre të mëdha gjatë verës së 2017-tës pati edhe në Matkë të Sarajit.

Sipas vlerësimit të DMSH gjendje e ngjashme me atë të vitit të kaluar ka pasur në vitin 2007. Maqedonia posedon vetëm tre aeroplan për shuarjen e zjarrit si dhe dy helikopter.