Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare po sheh mundësinë për të gjetur mënyra për të përdorur inteligjencën artificiale në zbulimin e dërgesave të paligjshme të fentanilit sintetik në Shtetet e Bashkuara.
Kufiri SHBA-Meksikë, një portë e rëndësishme për fluksin e njerëzve dhe tregtisë, po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë për kontrabandë të drogave të rrezikshme si fentanili.
Për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi në rritje, Sekretari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Alejandro Mayorkas, njoftoi në prill krijimin e një grupi të ri pune.
“Trafikantët e drogave po bëhen më të sofistikuar e më të fuqishëm”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, grupi do të shqyrtojë mënyrat se si mund të përdoret inteligjenca artificiale për të zbuluar dhe frenuar hyrjen e drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
“Ne do të shqyrtojmë përdorimin e kësaj teknologjie për të zbuluar më mirë dërgesat e fentanilit“, tha sekretari Mayorkas.
Pat Simmons, ish-drejtor i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare, thotë se sot në treg ka sisteme që mund të përmirësohen më tej me teknologjinë e Inteligjencës Artificiale.
Një shembull është ai që quhet sistemi i tomografisë Muon, i cili mund të japë një imazh më të saktë të objektit që skanohet, krahasuar me teknologjinë me rreze X që përdoret aktualisht.
“Rrezet X nuk depërtojnë dot në një ngarkesë të dendur, por sistemi i tomografisë Muon, mund të depërtojë duke i lejuar oficerët të shohin saktësisht se çfarë është brenda ngarkesës”, thotë Pat Simmons.
Kjo mund të jetë veçanërisht efektive me kontejnerët, ku mund të fshihet fentanili. Një mënyrë tjetër se si mund të ndihmojë Inteligjenca Artificiale është përmes analizës së kalimeve të automjeteve në kufi.
“Cilët janë personat që kalojnë, sa shpesh, po ashtu edhe automjeti dhe regjistrimi i patentës, sa shpesh kalojnë? Pra ka një lloj informacioni që mund të nxirret dhe të analizohet nga Inteligjenca Artificiale”.
Ekipi i ri i punës do t’i raportojë gjetjet e tij për përdorimin e Inteligjencës Artificiale për Sigurinë Kombëtare në muajt e ardhshëm./ VOA