Inteligjenca britanike ngre alarmin: Një agjente kineze e infiltruar në parlament

Shërbimet britanike të inteligjencës, MI5 ka lëshuar një paralajmërim të rrallë për deputetët. Sipas tyre, një agjent kinez është infiltruar në Parlament për të ndërhyrë në politikën e Mbretërisë së Bashkuar.

Marketing

Mediat shkruajnë se shërbimi i sigurisë ka thënë se Christine Ching Kui Lee “krijoi lidhje” për Partinë Komuniste Kineze (CCP) me deputetë aktualë dhe aspirantë.

Më pas ajo u dha donacione politikanëve, me financime që vinin nga shtetas të huaj në Kinë dhe Hong Kong.

Në këtë konkluzion është arritur pas një hetimi “të rëndësishëm dhe afatgjatë” nga MI5, thanë burimet e Whitehall për BBC.

Mësohet se një nga deputetët e financuar nga zonja Lee ishte Barry Gardiner nga laburistët, i cili mori mbi 420,000 £ prej saj në pesë vjet.

Por Gardiner tha se ai gjithmonë e kishte vënë në dijeni MI5 për donacionet.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha se ishte “shqetësues” fakti që dikush “i cili është përfshirë me vetëdije në aktivitete të ndërhyrjes politike në emër të Partisë Komuniste Kineze ka vënë në shënjestër parlamentarët”.

Por ajo tha se Mbretëria e Bashkuar ka masa “për të identifikuar ndërhyrjen e huaj”.

Shërbimi i sigurisë tha se kushdo i kontaktuar nga zonja Lee duhet të jetë “i ndërgjegjshëm për atë që ajo përfaqëson”.

Marketing