Interi fiton Superkupën e Italisë

Interi triumfon 1-0 ndaj Napolit dhe fiton Superkupën e Italisë për herë të tretë radhazi e për herë të 8 në histori. Kapiteni Lautaro Martinez vulosi suksesin e zikaltërve, falë një goli të shënuar në minutën e parë shtesë, teksa për 90 minuta të besuarit e Simone Inzaghit kishin shpërdoruar jo pak raste shënimi.

Marketing

Në Rijad u zhvillua për herë të parë Superkupa në formatin “Final 4”, teksa edhe në këtë mënyrë, fitues u konfirmua Interi, që merr këtë trofe për të tretën herë radhazi, në po kaq finale të luajtura nën drejtimin e Simone Inzaghit.

Një rekord më vete edhe për trajnerin nga Piacenza, që bëhet më i suksesshmi në Superkupën, duke e fituar për herë të pestë në histori, më shumë se kushdo tjetër.

Zikaltrit dominuan gjatë gjithë kohës ndaj Napolit, por vuajtën jo pak në finalizim, ndërsa vlen të theksohet se dhe skuadra e Mazzarit bëri disa kundërsulme interesante, por pa thyer dot Yann Sommer.

Në minutën e 60’ Simeone mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Napolin me 10 futbollistë, teksa minutat e mbetura u zhvilluan vetëm në gjysmëfushën napolitane, por goli i suksesit erdhi vetëm në minutën e parë shtesë, kur pas një pasimi të Pavard, Lautaro dërgoi topin në rrjetë dhe vrapoi për të festuar me tifozerinë zikaltër.

Marketing