Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nesër në orën 14 e caktoi seancën e Komisionit Ligjdhënës-juridik në të cilin duhet të debatohet për Kërkesën për dhënien e interpretimit autentik të nenit 11 të Ligjit për falje (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 20/1993), dorëzuar nga deputetët Sashko Kostov dhe Dime Vellkovski.
Paraprakisht sot Qeveria ia ka dërguar Kuvendit mendimin për interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për falje, ndërsa spikeri i Kuvendit, Talat Xhaferi ia ka dorëzuar kryetares së Komisionit Ligjdhënës Juridik, Sonja Mirakovska.
Qeveria në seancën e sotme e miratoi mendimin e Ministrisë së Drejtësisë që të pranohet nisma për interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për falje, dorëzuar nga deputetët Sashko Kostov dhe Dime Vellkovski.
Siç thuhet në kumtesën e seancës qeveritare, në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Ligji për falje u ndryshua dhe u miratua në vitin 2009, kur u shfuqizua neni 11, i cili përmbante mundësinë e faljes pa u zbatuar procedurë.
“Sipas këtij mendimi, në mars të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e pezulloi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falje prej vitit 2009, por me pezullimin e ligjit prej vitit 2009, nuk kthehet në fuqi dispozita e nenit 11. Kjo do të thotë se presidenti i Republikës nuk ka pasur, e as tani nuk ka mundësi juridike që të japë falje pa zbatimin e procedurës në bazë të këtij neni dhe sipas kësaj të gjitha aktet për faljen e presidentit të shtetit të bazuara në nenin 11 të Ligjit për falje të publikuar në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë” numër 20/1993, janë të paligjshme dhe si të tilla të shfuqizuara”, thuhet në kumtesë. .