Zëvendësministri i MPB-së, Astrit Iseni, ka reaguar rreth ndodhive të fundit në Kumanovë, respektivisht vënies zjarr së dy veturave dhe një dyqani.
Iseni ka shkruar se rastet janë të lidhura me qërim hesapesh nga e kaluara, por që MPB, po punon për zbardhjen e rastit në tërësi.
“Në mëngjesin e sotëm në Kumanovë, disa persona kanë vënë zjarr ndaj disa veturave dhe një objekti, ndërkaq personat që kanë vënë zjarrin dyshohet se kanë përdorur pajisje për bllokimin e kamerave. Informojmë se institucionet përkatëse dhe përfaqësues të MPB-së kanë inspektuar vendin ku ka ndodhur rasti dhe se gjatë ditës do të dalim me detaje të reja”, ka shkruar Iseni.
Ai ka shtuar se MPB ka indikacione se në ngjarjet e mëngjesit në Kumanovë përkojnë me qërim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminele. MPB në mënyrë efikase do të zbardh rastin dhe personat e përfshirë do të japin përgjegjësi.
“Siguria e qytetarëve është prioriteti ynë themelor dhe për këtë ne po angazhohemi çdo ditë. Që nga marrja e detyrës kanë ndodhur një varg krimesh, por me të gjithë rastet po merremi seriozisht dhe së shpejti do të jetë epilog për të gjithë këto raste një nga një. Duhet ta dinë të gjithë se tani është koha kur kriminelët do të marrin dënimin e merituar për veprat të cilat i bëjnë. Ka kaluar koha kur drejtësia ishte selektive. Tani askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia e veprave të tij. Për MPB-në të gjithë qytetarët janë prioritet. Banditët do të marrin dënimin e merituar. Bëjmë thirrje deri te të gjithë qytetarët që rastet t’i marrin me gjakftohtësi dhe t’ua lejnë në dorë institucioneve shtetërore për t’i zbardhur ato. MPB garanton siguri dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët”, ka shkruar në fund Iseni.
https://www.facebook.com/share/p/yFeW9BgyEjdbQEsh/?mibextid=WC7FNe