Ish-kapiteni, mesazh Kombëtares: “Kemi kualitetin e duhur, t’i mundim bjellorusët”

e.

Marketing

Në një mesazh të posaçëm për “FSHF”, ish-futbollisti legjendar i kuqezinjve vlerëson paraqitjen e përfaqësueses ndaj Kazakistanit dhe thekson se fitorja ishte e merituar.

“Ndeshja me Kazakistanin për mendimin tim ishte një ndeshje jashtëzakonisht e mirë për vetë faktin që edhe skuadra kishte një farë presioni për ta fituar këtë sfidë, por dhe ndeshjen e ardhshme ndaj Bjellorusisë, që është dueli më i rëndësishëm i këtij grupi, për të zënë vendin e parë në renditje”, tha ai.

“Kështu që ishte ndeshje shumë e fortë, me shumë duele, mendoj që djemtë u paraqitën mjaft mirë sidomos në pjesën e parë, ku shënuan edhe dy gola. Pjesa e dytë natyrisht ishte po ashtu e vështirë, me shumë dyluftime, e kontrolluam sërish lojën dhe mendoj se ishte një fitore e merituar”, shtoi Lala, duke u ndalur më tej te finalja e grupit me Bjellorusinë që luhet të mërkurën në Tiranë.

Ish-kapiteni ka edhe një këshillë për kuqezinjtë, teksa beson te kualitetet e skuadrës së drejtuar nga trajneri Reja.

“Sigurisht ndeshja me Bjellorusinë është vendimtare. Edhe bjellorusët luajnë pak a shumë ngjashëm me ne si Kazakistani ndaj shpresoj që djemtë të jenë të frymëzuar, aq më tepër dhe shumë të motivuar për të zënë vendin e parë në grup dhe uroj që ndeshjen ta fitojmë.

Mesazhi im është që secili nga ata djem që do të jetë në fushë dhe jashtë fushe të japë gjithçka për ta fituar këtë sfidë të fundit. Duhet të futemi me seriozitet në këtë sfidë dhe mendoj që nëse çdo lojtar jep maksimumin e vet, unë jam i bindur që ne kemi kualitetet e duhura për ta fituar edhe këtë ndeshje. Suksese dhe me një fitore!”, shprehet Altin Lala për FSHF.

Marketing