Ballina Lajme Botë Ish-këshilltari i Putin tregon se çfarë mund ta ndalë luftën

Ish-këshilltari i Putin tregon se çfarë mund ta ndalë luftën

Andrei Illarionov, ish-këshilltari kryesor ekonomik i presidentit rus, Vladimir Putin ka thënë se një “embargo e vërtetë” ndaj energjisë ruse nga vendet perëndimore mund të ndalojë luftën në Ukrainë.

Marketing

Ai tha se Rusia “nuk i mori seriozisht” kërcënimet e vendeve të tjera për të reduktuar përdorimin e tyre të energjisë.

Pavarësisht përpjekjes për të reduktuar varësinë e saj nga burimet ruse, Evropa po vazhdon të blejë naftë dhe gaz.

Vitin e kaluar, rritja e çmimeve nënkuptonte se të ardhurat nga nafta dhe gazi përbënin 36 përqind të shpenzimeve të qeverisë ruse.

Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave vjen nga Bashkimi Evropian, i cili importon rreth 40 përqind të gazit dhe 27 përqind të naftës nga Rusia, shkruan BBC.

Këtë javë, kryediplomati, Josep Borrell tha se “një miliard është shuma që ne i paguajmë Putinit çdo ditë për energjinë me të cilën ai na furnizon”.

“Nëse vendet perëndimore do të përpiqeshin të zbatonin një embargo të vërtetë ndaj eksporteve të naftës dhe gazit nga Rusia, unë vë bast se ndoshta brenda një ose dy muajsh, operacionet ushtarake ruse në Ukrainë, me siguri do të ndërpriten. Është një nga instrumentet shumë efektive që ende zotërohen nga vendet perëndimore”, shtoi ish-këshilltari i Putinit.

Derisa tregtia e naftës dhe gazit ka vazhduar gjatë konfliktit, sanksionet e përhapura kanë bërë që shumë aktivitete të tjera ekonomike të ndalohen dhe shumë kompani të huaja të tërhiqen, e kështu eksportet janë ndërprerë.

Një studim i fundit nga vetë banka qendrore e Rusisë parashikoi se ekonomia do të tkurret me 8 përqind këtë vit, ndërsa Instituti Ndërkombëtar i Financave tha se mund të bjerë deri në 15 përqind.

Illarionov tha se Putini ishte i përgatitur të duronte një goditje në ekonomi, gjë që sipas tij tregon se ku qëndrojnë prioritetet e presidentit rus.

“Ambiciet e tij territoriale, ambiciet e tij perandorake, janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër, duke përfshirë jetesën e popullsisë ruse dhe situatën financiare në vend, madje edhe gjendjen financiare të qeverisë së tij”, u shpreh tutje ai.

Exit mobile version