Nga 26 Dhjetori 2022 deri më 01 Janar 2023, për 96% është rritur numri I të prekurve nga gripi në krahasim me javën paraprake – thuhet në raportin e Institutit për Shëndet Publik (ISHP).
Gjatë kësaj periudhe, sic njofton KlanM, janë regjistruar 347 raste të paraqitjeve grupore për të prekur nga gripi, kurse javën paraprake ka pasur 177 raste. Por, në krahasim me javën e 52 të sezonit të kaluar, numri I rasteve është ulur për 38.6%.
Sipas ISHP-së, incidenca është nën kufirin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit, respektivisht ende nuk është arritur pragu për hyrje në sezonin e gripit.
Sipas moshës së të prekurve nga gripi, sic percjell KlanM, 184 janë të grupmoshës 15 – 64 vjeç, 96 të grupmoshës 5 – 14 vjeç dhe 29 të grupmoshës mbi 65 vjeç. Më shumë raste të gripit, sipas ISHP-së, janë regjistruar në Gostivar – 57, Manastir – 51, Prilep – 39, Dibër – 37, Kumanovë – 35, Kavadar – 29, Shkup – 24, kurse në Krushevë, Tetovë, Strumicë e qytete tjera numri I rasteve është nën 20.