Policia italiane dhe Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) kanë kryer operacion të koordinuar më 8 nëntor kundër anëtarëve të dyshuar të mafisë në Sicili dhe Nju Jork, duke shënjestruar familjen e fuqishme të krimit, Gambino, dhe bashkëpunëtorët e saj.
Urdhër arrestime për 17 të dyshuar janë ekzekutuar, përfshirë shtatë në rajonin e Sicilisë dhe dhjetë në Nju Jork, njoftoi policia italiane.
Të arrestuarit akuzohen për krime të ndryshme që lidhen me mafian dhe shoqatat kriminale e deri te zhvatja e manipulimi i ankandeve.
Departamenti amerikan i Drejtësisë më vonë sqaroi se vetëm 16 prej të dyshuarve janë arrestuar, duke shtuar se një i dyshuar në Itali është ende në arrati.
Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se dhjetë anëtarët apo bashkëpunëtorët e dyshuar të familjes Gambino janë arrestuar në SHBA, e të cilët akuzohen për zhvatje, shantazh, hakmarrje ndaj dëshmitarëve “dhe krime të lidhura me sindikatat”.
“Siç pretendohet, për vite të tëra të pandehurit kanë kryer shantazhe të dhunshme, sulme, zjarrvënie, kanë frikësuar dëshmitarët dhe kanë kryer krime të tjera duke tentuar që të dominojnë sektorin e depozitimit të mbeturinave dhe industrinë e demolimit në Nju Jork”, tha prokurori amerikan, Breon Peace.
Familja Gambino është një prej pesë familjeve të Cosa Nostras – mafisë siciliane – me seli në Nju Jork, sipas prokurorëve amerikanë. Familjet e tjera janë familja Gjenoveze, Lukeze, Kolombo dhe Bonano.
Cosa Nostra u bë e famshme dhe inspiroi filmat Godfather, edhe pse asaj i ka humbur fuqia, pasuria dhe ndikimi në botë, pasi primatin tani e ka mafia Ndrangeta, në rajonin jugor italian të Kalabrisë.
Por, policia italiane tha se hetimi i tyre i përbashkët me FBI-në – që nisi në prill të vitit 2021 – konfirmoi “fuqinë” e lidhjeve të krimit amerikano-italian.
Në mesin e të arrestuarve në SHBA është edhe Joseph Lanni, 52 vjeç, që dyshohet se ishte “kapiten” – udhëheqës i grupit – që po ashtu njihet me emrat si “Joe Brooklyn” dhe “Mommino”. Po ashtu janë arrestuar “ushtarë” të mafisë dhe bashkëpunëtorë të tyre, thanë autoritetet.
Mafia në Nju Jork ka humbur fuqinë në vitet e fundit, përfshirë nga arrestimet, por edhe nga konkurrenca e organizatave të tjera kriminale. Megjithatë, mafia besohet se është ende aktive.
Bosi i njohur i klanit Gambino, “Frank” Cali u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Nju Jork në mars të vitit 2019./ rel