Italia renditet e dyta, pas Rusisë, për numrin e raporteve të sulmeve fizike kundër gazetarëve në vitin 2020, e pasuar nga Serbia dhe Britania e Madhe, sipas të dhënave të botuara në raportin vjetor të përgatitur nga 14 organizata ndërkombëtare të gazetarëve, të emëruara nga Këshilli i Europës për menaxhimin e platformës në të cilën publikohen raportet e sulmeve ndaj shtypit në 47 Shtetet Anëtare, përfshirë Turqinë, Azerbajxhanin, Hungarinë dhe Poloninë.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm në krahasimin e të dhënave nga vende të ndryshme”, thekson Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, duke shpjeguar se raportet gjithashtu varen nga mënyra se si funksionojnë shoqatat kombëtare, raporton ATSh.
“Italia është një rast specifik, sepse në këtë vend ka një lidhje midis numrit të rasteve të dhunës dhe atyre të frikësimit ndaj gazetarëve”, shtoi Gutierrez, duke shpjeguar se për vendin shumë prej raporteve të botuara vijnë nga shtypi kombëtar i Federatës.
Organizatat që drejtojnë Platformën e Mbrojtjes së Lirisë së Shtypit të Këshillit të Europës argumentojnë, gjithashtu, se ekziston një nënvlerësim i dhunës ndaj gazetarëve në vendet anëtare të organizatës në juglindje.
Për Italinë, nga 11 raportet e botuara në vitin 2020, 6 kishin të bënin me sulme fizike kundër gazetarëve.
Sipas Gutierrez, numri i raporteve të sulmeve fizike ndaj gazetarëve në Shtetet Anëtare u dyfishua midis 2016 dhe 2020, nga 24 raste në 52.