Italia për të tretën ditë radhazi ka regjistruar një rënie tjetër të infeksioneve dhe vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19).
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, vendi gjatë 24 orëve të fundit regjistroi 528 viktima, nga 564 të regjistruara një ditë më parë, duke e çuar në 60.606 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi.
Me këtë shifër, Italia renditet vendi i dytë në Evropë pas Mbretërisë së Bashkuar për sa i përket vdekjeve nga pandemia.
Vendi po ashtu regjistroi 13.720 raste të reja të koronavirusit nga 18.887 të regjistruara një ditë më parë. Megjithatë, infeksionet e reja zakonisht janë më të ulëta të hënave për shkak të administrimit të më pak testeve të mostrave.
Gjatë dy javëve të fundit, thanë ekspertët, prirja e përgjithshme konfirmon se kurba e infektimit po bie. Shkalla e infeksionit u rrit pak më shumë se 12 përqind nga 11,5 përqindshi i ditës së mëparshme, por ende është shumë larg kulmit të muajit tetor kur shkalla e infeksionit arrinte në 18 për qind.
Duke luftuar për të përmbajtur valën e dytë, autoritetet miratuan masa më të rrepta për sezonin e festave me shpresë për të lejuar njerëzit të festojnë pa rrezikuar një valë të tretë të infeksioneve në fillim të vitit të ardhshëm.
Masat e reja përfshijnë një ndalim gati të plotë të lëvizjes ndërkombëtare dhe midis rajoneve italiane nga 21 dhjetori deri më 6 janar, me çka synojnë të shmangin përhapjen e virusit në të gjithë vendin.
Masat më të rrepta nxitën protesta midis qytetarëve dhe autoriteteve rajonale, pasi gjatë pushimeve tradicionale të Krishtlindjeve ato do të ndajnë familjet që jetojnë në zona të ndryshme.
Ndërkohë, zyrtarët italianë po ashtu njoftuan një përparim të fortë drejt përgatitjes së një vaksine.
Dje, duke folur në një intervistë televizive, komisioneri i posaçëm për urgjencën, Domenico Arcuri, tha se 220 milionë doza do të mbërrijnë në Itali nga janari 2021 deri në mars 2022.
“Kjo do të thotë se nëse planet respektohen, deri në tremujorin e tretë të vitit të ardhshëm do të kemi doza të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë”, tha ai.