Izet Mexhiti: Për herë të parë liderët shqiptarë marrin përgjegjësi ekzekutive dhe shpallin luftë kazinove

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në një intervistë për Radio Televizionin e Shqipërisë, ka folur për ndryshimet pozitive në proceset demokratike dhe prioritetet e qeverisjes së re, duke përfshirë luftën kundër kazinove dhe kredive të shpejta.

Marketing

Mexhiti theksoi se ndryshimet në qeverisje janë të shëndetshme për demokracinë dhe përfaqësojnë një vlerë të saj. Ai nënvizoi se, për herë të parë, liderët e partive shqiptare kanë marrë përgjegjësi ekzekutive, duke u bërë pjesë e drejtpërdrejtë e vendimmarrjes.

“Ndryshe nga e kaluara, kur liderët delegonin figura të tjera dhe distancoheshin nga përgjegjësitë, sot ata janë në ballë të ekzekutivit. Në të kaluarën, nëse një vendim dilte mirë, liderët e përvetësonin suksesin, ndërsa dështimet binin mbi të deleguarit. Pasojat përfundimtare i paguante elektorati. Tani kjo situatë ka ndryshuar,” deklaroi Mexhiti.

Zëvendëskryeministri theksoi se në këta katër muaj të qeverisjes nuk është shënuar asnjë skandal korruptiv. “Kemi shpallur se do të ketë përgjegjësi, por për çështjet nga e kaluara i kemi lënë fjalën e fundit institucioneve gjyqësore dhe prokurorisë,” shtoi ai.

Në vijim, Mexhiti foli për angazhimet kundër kazinove dhe kredive të shpejta, të cilat, sipas tij, ishin karakteristikë e qeverisjes së kaluar. “Gjithçka që mbyllej në Kosovë transferohej në Maqedoni. Ne kemi shfuqizuar disa koncesione të mëdha të kazinove online dhe kemi formuar një grup qeveritar për të luftuar bizneset e kazinove që operojnë në mënyrë të egër – një problem global. Po punojmë për një ligj të ri më rigoroz, sepse vlerësojmë se ligji aktual është i dëmshëm për shqiptarët. Maqedonia gradualisht po rrezikonte të shndërrohej në një ‘Las Vegas të Ballkanit’,” përfundoi Mexhiti.

Këto angazhime, sipas tij, janë shembull i një qasjeje të re dhe më përgjegjëse në qeverisje, me fokus në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Marketing