Izet Mexhiti për TOP Channel: Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e pakompromis, por jo revanshiste

Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti, në një deklaratë për TOP Channel, ka theksuar se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e ashpër dhe pa kompromis, por nuk duhet të kalojë në veprime revanshiste apo të krijojë terror ndaj qytetarëve.

Marketing

“Ne kemi kërkuar gjatë formimit të qeverisë që lufta kundër korrupsionit të jetë e pakompromis. Mirëpo, kjo luftë nuk guxon të jetë revanshiste, monoetnike dhe nuk duhet të përfshijë sforcim apo bastisje të shtëpive përpara kamerave, ku familjarët mund të terrorizohen. Është shumë e rëndësishme të ruhet privatësia, sepse në fund të fundit është gjyqësori ai që e thotë fjalën e fundit për fajësinë apo pafajësinë e dikujt,” tha Mexhiti.

Ai e cilësoi këtë si një ndryshim të madh nga praktikat e së kaluarës, kur, sipas tij, bastisjet ishin të ngjashme me skenat e filmave të Hollywood-it. “Ne duam që lufta kundër korrupsionit të jetë e drejtë, transparente dhe të respektojë të drejtat e qytetarëve,” përfundoi Mexhiti.

Kjo deklaratë vjen në kohën e intensifikimit të aksioneve kundër korrupsionit në vend, të cilat kanë ngjallur debat në opinion publik për mënyrën e zbatimit të tyre.

Marketing