De-faktorizimi politik i shqiptarëve i konvenon politikës nacionaliste dhe ultra nacionaliste maqedonase, dhe në rrethanat aktuale, veçmas VMRO-DPMNE-së, thonë për Indeks.mk, njohësit e zhvillimeve politike në vend, duke folur për daljen si “kërpudhat” pas shiut të shumë subjekteve në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Partia e Mickoskit ka krijuar tanimë një narrativë dashakeqëse ndaj subjekteve politike shqiptare. Kjo parti nuk dëshiron të dialog për një qeverisje eventuale me një subjekt politik shqiptar që do të kishte verdiktin absolut të elektoratit shqiptar dhe që do të kishte numër deputetësh determinues për një shumicë parlamentare. Duke kërkuar votat e elektoratit maqedonas, lidershipi i kësaj partie, prej kohësh publikisht ka deklaruar që nuk duhet lejuar kushtëzimi nga partitë shqiptare në formimin e qeverisë. Kjo logjik nënkupton që shqiptarët i parapëlqejnë në qeveri si vasal dhe mundësisht të parcializuar në më tepër parti politike. Në një rast të tillë, marrëveshja politike do të ishte e ulët dhe nuk do të kishte përfaqësim përmbajtësor të shqiptarëve në pushtetit ekzekutiv”, thotë për Indeks.mk, gazetari Driton Zenku.
Sipas tij, fragmentalizimi i votës tek blloku politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut është i dëmshëm.
“Dukuria e formimit të partive politike shqiptare si reflektim i pakënaqësive ndaj partive ekzistuese, na shoqëron nga fillimi i pluralizmit politik. Ju kujtohet formimi i PPD-DDP dhe pastaj PPDSH. E përmenda këtë moment për të arritur deri tek një konkluzion. PPDSH u formua si fraksion i PPD. U dashtë të kalojnë 23 vite që njëri nga protagonistët e formimit të PPDSH-së, Rufi Osamani në një paraqitje publike në vitin 2017 të pranon që PPD u shkatërrua me ndikimin e Sali Berishës. Ky moment, por edhe momente të tjera na tregojnë që formimi i disa partive politike shqiptare po sponsorizohet apo po ndikohet edhe nga qarqe të caktuara. Dilema për ndikime të jashtme dhe të brendshme ka pasur edhe në formimin e Demokracisë së Re, Lëvizjes Besa dhe të tjera”, theksoi Zenku.
Në anën tjetër, komentuesi i zhvillimeve politike në vend – Urim Saliu vlerëson kjo përçarje duhet ta ketë zanafillën diku dhe këtij realiteti më për shtati i shkon partisë nacionaliste VMRO DPMNE- së që duket se po i josh nga distanca partitë e vogla në frontin e përbashkët por për interes maqedonas më së shumti.
“Kjo është shumë e dëmshme sepse këta parti po bëhen bashkë në front me parti nacionaliste maqedonase që janë po ashtu edhe pengesë për rrugën e integrimit të vendit. VMRO-DPMNE ka shtrirë tentakulat e veta në terrenin shqiptarë dhe politika naive shqiptare e joshur para kohe nga pushteti, janë verbuar jashtë-masë aq sa armiq shohin vetëm parti të caktuara shqiptare dhe ‘miq’ parti maqedonase që janë madje edhe pro ruse. Një ditë kur do kthjelltësohen do shohin se sa gabim e kishin por do të jetë skajshmërisht vonë në këtë moment vendimtarë kur duhet unitet politik shqiptarë dhe jo politikë bajraktarizmi plot parti e plot liderë pa peshë politike”, shprehet Saliu.
Ish-deputeti dhe ish-kandidati presidencial, Zudi Xhelili konsideron se formimi i më shumë partive politike shqiptare dobëson faktorin politik shqiptar dhe u shërben armiqve të shqiptarëve.
“Armiqtë e shqiptarëve dihet kush janë, normalisht ata shfrytëzojnë çdo dobësi tonën. VMRO – DPMNE, ka gjasa të këtë stimuluar elemente të caktuara për të krijuar bashkëpunëtor të ardhshëm, sepse forcat politike serioze shqiptare janë distancuar nga politika anti-europiane e VMRO DPMNE-së. Shqiptarët, votuesit shqiptar janë pjekur politikisht dhe do tu bëjnë ballë forcave destruktive dhe shërbëtorëve të tyre. Nuk ka forcë që do të mund të na devijoj nga rruga që e kemi trasuar me vit drejt anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ata që do të mundohen ta pengojnë këtë rrugë do të ballafaqohen me realitetin dhe do të dëmtojnë veten”, nënvizoi Xhelili.