Ja cilët janë shtetasit e RMV-së që kërkohen nga Interpoli

Refuzimi i Interpolit të publikojë një urdhër arresti ndërkombëtar për ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe Nikolla Boshkovski krijoj bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, transmeton DW, përcjell Portalb.mk.

Marketing

Aktualisht nga Interpoli kërkohen tre shtetas maqedonas.

Jemsit Dehari, Aqif Ajro dhe Shpëtim Bytyçi janë tre qytetarë maqedonas, të cilët po kërkohen nga ana e organizatës ndërkombëtare policore.

51-vjeçari Dehari, i lindur në fshatin Gajre të Tetovës, po kërkohet nga Gjermania. Atje ai është akuzuar për tre raste grabitje duke marrë pengje. Gjithashtu atë e kërkon edhe Hungaria, në të cilin shtet ai akuzohet për vrasje. Urdhër arresti i Interpolit paralajmëron se Dehari është i rrezikshëm.

38-vjeçari Ajro, kërkohet në SHBA ku akuzohet për një sërë sulmesh fizike dhe kërcënimeve. Ai ka lindur në Shtetet e Bashkuara, por përveç shtetësisë amerikanë, ai gjithashtu ka edhe shtetësi maqedonase.

Dhe i arratisuri i tretë dhe i fundit nga drejtësia me prejardhje nga Maqedonia, Shpëtim Bytyçi kërkohet nga Gjermania. Ky 47-vjeçar, i lindur në Shkup, akuzohet për vrasje në Gjermani.

Aktualisht ekzistojnë 6945 fletë arreste “vërejtje e kuqe” aktive në të gjithë botën.

Nga Interpoli njoftojnë se “vërejtja e kuqe” nuk i kushtëzon shtetet që të arrestojnë personin e kërkuar, por që vetë ata mund të vendosin se çfarë statusi ligjor ti japin vërejtjes. Praktikisht kjo është vetëm informacion për personat që kërkohen ndërkombëtarisht.

Përse atëherë Interpoli refuzon që të shqiptojë fletë arresti për ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe Nikolla Boshkovski, që të dy të dyshuar si organizatorë të sulmeve në Kuvend më 27 prill?

Mediat botërore kanë kohë që po shkruajnë për pakënaqësinë në Interpol nga abuzimi i perceptuar i organizatës nga shtete autoritare si Turqia, Rusia dhe Kina. Këto vende shpesh e përdorin Interpolin si një mjet për ‘larje hesapesh’ me kundërshtarët dhe disidentët. Ekzistojnë 194 shtete në organizatë dhe është e vështirë të vlerësohet se sa prej mandateve të lëshuara janë të motivuara politikisht.

“Përvojat për të ardhmen”

Këta dy faktorë janë ndoshta ndër arsyet pse organizata botërore ka refuzuar të lëshojë një urdhër arresti për Gruevskin tani më dy muaj. Ai tashmë mori azil në Hungari, i cili u pranua në bazë të pohimit të tij se ai ishte viktimë e persekutimit politik në Maqedoninë Veriore.

“Për rastin që po udhëheq për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit, unë kërkova nga policia të lëshonte një urdhër arrest vendas dhe ndërkombëtar, por informatat më të fundit nga Interpoli i Maqedonisë janë se selia e Interpolit refuzon të publikojë këtë urdhër,” tha shefja i Prokurorisë Publike për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska dy ditë më parë. Ajo beson se pikërisht ish kryeministri është urdhëruesi i ngjarjeve të dhunshme në Parlament.

Nga Interpoli, për mediat vendase, kanë urdhëruar që përgjigja të kërkohet në Ministrinë e Brendshme dhe prokurorinë.

Ndërsa topi hidhet nga njëra anë në tjetrën, Gruevski publikoi librin e tij të fundit në të cilin ai u mëson qytetarëve për “Përvojat për të Ardhmen”.