Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen në pozitën e presidentes së vendit. Nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook, Jahjaga uron që Osmani “të jetë simbol i unitetit dhe garantuese e funksionimit kushtetues, ligjor dhe demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”
“Uroj Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Vjosa Osmani-Sadriu për zgjedhjen e saj si kryetare e Republikës. Kosova ka në krye të shtetit sërish një presidente grua- dëshmia më e mirë për rrugën e trasuar nga gjenerata të tëra grash që në role të ndryshme e kanë mundësuar që kjo arritje tashme të shndërrohet në normë”, shkroi Jahjaga në Facebook.
“Si Presidentja e parë e Kosovës, uroj që Presidentja Osmani të jetë simbol i unitetit dhe garantuese e funksionimit kushtetues, ligjor dhe demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Uroj që udhëheqja e saj të karakterizohet nga maturia duke e mbajtur në mendje dhe në zemër interesin e çdo qytetari të Kosovës dhe të drejtën e tij/saj për jetë të dinjitetshme”.
“Republika e Kosovës është institucion i ndërtuar mbi sakrificen e gjeneratave për ta bërë Kosovën vend të mundësive të barabarta, në partneritet dhe miqësi të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dy aleanca me të cilat shoqëria jonë ndan vlerat dhe idealet për liri dhe demokraci”.
“Njëkohësisht, përgëzoj klasën politike të Kosovës për maturinë e treguar në tejkalimin e ngërrçeve politike dhe konstruktivitetin e dëshmuar në konsolidimin e institucioneve. Tani është koha që të gjitha institucionet që dolën nga zgjedhjet e 14 Shkurtit t’i përvishen punës. Kosova nuk ka më kohë për të humbur! Urime dhe ju priftë e mbara!”