Jakup Krasniqi: Prokurori Elez Blakaj është hero, Sylejman Selimi tregoi saktë sa ushtarë kishte UÇK-ja

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka lëvduar ish-prokurorin special, Elez Blakaj, për aktakuzën e përgatitur për listat me veteranë të rrejshëm. Krasniqi, po ashtu, pajtohet me deklaratën e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili nga burgu i Dubravës, në një intervistë dhënë Televizionit 7, tha se UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 13 mijë ushtarë.
Shkrimi i plotë i Krasniqit:

Marketing

PO E THE TË VËRTETËN, ARMIQTËI KE NË DERË

Populli ynë, në fjalorin dhe mendësinë e tij filozofike ka shpjegim adekuat për çdo situatë, edhe për zhvillimet e këtyre ditëve. Dhe është më shumë se i saktë në këtë reflektim imediat. I urti popull thotë: “Më lehtë është të luash qarkun sesa të folesh hakun!” Kjo u pa edhe këtyre ditëve, e sidomos pas bërjes konkrete të arsyes pse ishte larguar prokurori Blakaj. Reagimet e shumta që erdhën pas letrës së prokurorit të “vetëlarguar”, e sidomos të atyre që do të duhej ta ndihmonin në kryerjen e detyrës së tij fisnike, po më bindin se vërtet në ambientin tonë e vërteta vret shumë dhe do të duhej të ishte e kundërta, do të duhej t’i gëzoheshim të vërtetës së zbardhur!

Prokurori që e tha një të vërtetë edhe mund ta kryqëzojmë, por ai nuk e pati gatishmërinë e Krishtit e as përkushtimin e Adem Jasharit. Në fakt ai është një hero në mbrojtje të shtetit, të shtetit që ka shumë mundësi të falimentojë financiarisht. Bile së paku është guxim, sa ishte guximi i atyre që ishin rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta bërë shtetin. UÇK-ja ka luftuar për shtetin e pavarur, sovran e demokratik edhe prokurori po e mbron funksionimin e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik. Kuptohet, me mjete të tjera, me ato mjete që e mbrojnë shtetin sot.

Mua nuk me frikëson prokurori që e tha një të vërtetë që e dimë të gjithë, e më të saktën e tha dje nga burgu Syleman Selimi, por më frikësojnë deklarimet e atyre që kanë përgjegjësi dhe marrin para të shumta për ta mbrojtur shtetin nga mashtruesit e abuzuesit e tij. Dhe ata e bëjnë të kundërtën!

Kjo është frika! Frika nga e vërteta, të cilën kërkojnë ta mbyllin në epruvetën e krimit laboratorik! Kështu nuk mbrohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për të cilën punuan se paku tre breza atdhetarësh për nëntë dekada, por as bëhet e mbrohet shteti.

Prokurori edhe mund të ketë qenë pjesë e atyre që ishin në Bllacë, por ai nuk ishte faji i tyre! Fajtorët që nuk e ndihmuan luftën, çlirimtarë i kanë futur në gjirin e tyre për interesa meskine! Fajtorë janë ata që dezertorët i bënë veteranë e deri në heronj, si dhe ata që fare nuk ishin ushtarë dhe sot nuk ju dhimbset paraja e shtetit!

Sot jemi gati 20 vjet pas lufte. Ata që menaxhojnë buxhetin e krijuar nga tatimpaguesit, e paguhen nga ai buxhet dhe marrin paga goxha të mira, duhet t’i respektojnë edhe shumë bile që të gjithë qytetarët e shtetit, ishin apo nuk ishin në luftë. Liria ka ardhur për të gjithë! Shpërblim sipas meritës po, por jo të privilegjohen të pameritueshmit e mashtruesit!

Kështu shteti nuk udhëhiqet dhe as nuk mbrohet!

E di që për këtë që po e them s’do t’ju pëlqej shumëkujt, por unë nuk po shkruaj që t’ju pëlqej shumicës mashtruese. Po e them të vërtetën që edhe mund t’i vret disa! Madje jo pak! Edhe ata që pa dëshirën e tyre ishin pjesë jo vetëm e një Bllace a Stankoveci duhet respektuar! Edhe ata ishin pjesë e luftës që i ishte imponuar popullit tonë.

Në këtë vend duhet thënë e vërteta nëse e duam zhvillimin e ndërtimin e shtetit të se drejtës! Nëse duam qytetarë të ndershëm, me dinjitet e integritet! Dhe shteti ka nevojë dhe ka nevojë shumë për njerëz të tillë.

Sepse prapë duhet rikujtuar ajo që solla që në fillim: “Më lehtë është të luash qarkun sesa të folësh hakun!” Dhe me këtë nënkuptohet se po e the të vërtetën, armiqtë i ke në derë!

E vërteta duhet thënë, se për te populli ynë ka flijuar shumë! Madje, për ketë të vërtete kanë flijuar edhe disa që po duan ta heshtin! Natyrisht që këta me dhimbsen edhe goxha shumë!

Marketing