Ballina Lajme Maqedoni Janevska konfirmon raportin mbi shkeljet dhe parregullsitë në UT

Janevska konfirmon raportin mbi shkeljet dhe parregullsitë në UT

Këto deklarata Janevska i bazoi në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, në të cilin u konstatuan parregullsi, për çka inspektorati shtetëror i arsimit, paralajmëron masa në përputhje me ligjin.

“Ato do të publikohen, mbetet edhe një pjesë shumë e vogël e procedurës, janë konstatuar disa parregullsi dhe për momentin e përfundojmë atë procedurë, gjegjësisht, ja publikisht do të them, nevojitet harmonizim për pagesa të gjobave që duhet universiteti ti paguajë në raport me gabimet që i ka bërë dhe të gjithë aktorët në atë proces. Siç kam kuptuar universiteti po ndërmerr disa masa të caktuara, por kur e gjitha të përfundojë në afat prej disa ditëve, ja të them 10 ditë, ne do ta informojmë opinionin”, tha Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ky raport kishte të bëjë me zgjedhjen e rektorit dhe ushtruesit të detyrës rektor nga periudha 2017-2023, zgjedhja e anëtarëve të senatit, veprimi dhe sjellja e vendimeve, dhe thirrja e profesorëve.

Blendi Hodai në intervistën e mbrëmshme në Alsat, shpalosi detaje nga raporti që kanë të bëjnë me zgjedhjen e rektorit.

“Çka janë shkeljet, e para është që vazhdon ai trendi që ne veçse e kemi folur të avancimeve të kundërligjshme me normë mesatare më pak se 8.00. E  dyta ka të bëjë me një situatë kaotike që ka ndodhur në udhëheqësin e UT, nga viti 2021 kur rektori i atëhershëm Vullnet Ameti, tash kryetar i senatit, i ka përfunduar mandati i dytë si rektor, nuk ka nxjerrë shpallje për zgjedhjet e rregullta për rektor dhe ka zgjedhur veten ushtrues detyre, më pas e ka zgjedhur një profesor tjetër Reshad Qailin dhe më pas Kushtrim Ametin…nga raporti i inspektimit thuhet që UT edhe pse ka marr vendime, për 5 muaj e 9 ditë  nuk ka patur rektor në udhëheqje të këtij universiteti”, theksoi Blendi Hodai.

Forumi për Ndryshime në Arsim, duke u bazuar në raportin e Inspektoratit denoncoi profesoreshën Merita Mustafain se jashtëligjshëm është avancuar me thirrjen akademike.

Për këtë nga UT-ja thanë se për rastin e Merita Mustafait, është në rrjedhë procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në UT, ndërsa i është anuluar edhe thirrja shkencore./ Alsat.mk

Marketing
Exit mobile version