Jashtë listave fituese, këta janë kandidatët për deputetë që kanë më shumë vota se kolegët e tyre

Pavarësisht se janë renditur më poshtë në listë, shumë prej kandidatëve për deputetë kanë siguruar vota ‘personale’ më shumë se konkurrentët e tyre brenda partisë dhe që aktualisht janë në listën fituese të kandidatë.

Kështu, në Qarkun e Elbasanit, kandidati demokrat Luçiano Boçi, i renditur i shtatit dhe aktualisht jashtë listët fituese, ka marrë më shumë vota se kandidatët e tjerë të renditur më lart në listë.

Marketing

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Boçi ka siguruar 6,659 vota, duke marrë shumë më shumë vota se sa sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka siguruar 2,720 vota apo kandidatja e parë në listë Flutura Açka, e cila ka marrë vetëm 1,206 vota. Pavarësisht me numër më të madh votash, Boçi deri më tani është jashtë listës fituese për deputetë në Qarkun e Elbasanit.

Një tjetër kandidat që mund të thyej herësin e partisë dhe të futet në Parlament, është Bardh Spahia në Shkodër. Ai ka marrë 5,232 vota, duke u renditur i dyti në Qarkun e Shkodrës pas Zef Hilës me 5,803 vota. Hila është në listën e fituesve.

Emilja Koliqi, e cila aktualisht është në listën fituese është më pak e votuara duke marrë vetëm 1,180 vota.

Qarku i Kukësit duket se e ka vulosur se cilët do të jenë deputetët në Parlamentin e ri, pasi të gjithë kandidatët fitues janë edhe më të votuarit si emra.

Në Qarkun e Lezhës, kandidati për deputet që mund të sfidojë kolegët është socialisti Gentian Malotaj, i cili ka siguruar 3,771 vota, më shumë se kandidatja për deputete e PS-së, Shpresa Marnoj, e cila aktualisht është në listën fituese (1,546 vota).

Në Qarkun e Fierit, Agron Kapllanaj, aktualisht është jashtë listës fituese si deputet, por ai ka marrë 7,310 vota, i cili ka marrë më shumë vota se çdo kandidat që është aktualisht në listën fituese jo vetëm nga radhët e demokratëve, parti me të cilën kandidon por edhe në radhët e socialistëve, duke lënë pas Erion Braçen si më i votuari nga PS.

Edhe në Qarkun e Korçës, Andrea Mano ka marrë shumë vota se kandidatët që aktualisht janë shpallur fitues.

Kandidatja e cila aktualisht fituese nga radhët e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj është Sorina Koti, e cila marrë 1462 vota kundrejt 5,115 votave që ka marrë Mano.

Gëzim Ademaj kandidat i Partisë Demokratike në Vlorë, ka marrë më shumë vota se kandidati fitues aktualisht fitues, Arbi Agalliu. Ademaj ka marrë 3,227 vota, kundrejt 1474 vota që ka marrë kandidati Agalliu.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Gjirokastër, ku kandidati demokrat Bujar Hoxhaj, i cili ka siguruar 3,101 vota është jashtë listës fituese, kundrejt kandidatit fitues Kasëm Mahmutaj, i cili ka siguruar 2,286 vota.

Në Qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi nga PS, kanë marrë shumë vota se disa prej emrave që aktualisht janë në listën fituese të PS-së.

Xhafaj ka siguruar deri më tani 4,137 duke lënë pas të gjithë kandidatët fitues përveç Belinda Ballukut, e cila ka siguruar 6,241 vota.

Këto janë vetëm rezultate paraprake dhe në fund të numërimit të të gjitha fletëve të votimit, do të mësohet kush do të jetë përfundimisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë.