Jasir Asani është ndër lojtarët e parë që ka mbërritur në Tiranë për të nisur përgatitjet për Europianin.
Asani thotë se ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës do të zbresin në fushë me dëshirën që patën në fazën kualifikuese, për të fituar çdo ndeshje.
“Kemi lojtarë që hyjnë në fushë me mentalitet fituesi.
Nuk është rastësi që kemi ardhur në Europian dhe duhet ta bëjmë surprizën më të madhe”, tha ai.
Sulmuesi kuqezi shikon përtej ndeshjeve të grupit.
“Pse mos ta kalojmë grupin. Besoj se me tifozët do t’ia dalim që ndeshjen e parë”, u shpreh ai.
Shënuesi i 3 golave në fushatën kualifikuese të Europianit ka ende për të dhënë. Asani beson se do të tundë përsëri rrjetën.
“Shumë më pyesin a do të shënosh ndaj Donnarumma-s, Kroacisë apo Spanjës.
E kam një ndjesi që do të shënoj kundër Italisë dhe kam një ndjenjë që do të bëjmë gjëra të mëdha atje”, tha Asani.
Shqipëria e nis Europianin më 15 Qershor në Dortmund, pikërisht ndaj ekipit kampion në fuqi Italisë.