Ballina Lajme Maqedoni “Java e kulturës shqiptare në SHBA” vazhdoi në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare...

“Java e kulturës shqiptare në SHBA” vazhdoi në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island

Sot delegacioni i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në kuadër të edicionit “Javës kulturore shqiptare në SHBA” qëndroi në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island të Nju-Jorkut, ku në prani të bashkatdhetarëve tanë që gravitojnë në këtë qendër u bë promovimi i veprimtarisë hulumtuese e botuese të Institutit.

Marketing

Pas namazit të xhumasë, fillimisht të pranishmit i përshëndeti Imam Omer Kadriu, i cili në emër të Qendrës Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island u dëshiroi mirëseardhje delegacionit të Institutit nga Shkupi.

Në vazhdim të programit, që u moderua nga Sekretari Shkencor i Institutit, Dr. Sefer Tahiri, foli drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Dr. Skender Asani, i cili bëri një elaborim më të gjerë të arsyes së organizimit të edicionit të katër të “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, duke theksuar rëndësinë e krijimit të sinapsave me bashkatdhetarët tanë, që do të jenë nyja të bashkëpunimit dhe ndërtimit të projekteve të përbashkëta në interes të kombit. Me këtë rast ai e vuri theksin te Departamenti i Mërgatës Shqiptare dhe te qendrat rajonale të trashëgimisë, që do të themelohen së shpejti, përmes të cilave do të ofrohet institucionalizim i mirëfilltë i qasjes ndaj trashëgimisë sonë kulturore brenda dhe jashtë trojeve tona. Ai po ashtu i njoftoi të pranishmit me punën e Institutit, duke bërë një retrospektivë që nga themelimi i tij e deri në ditët tona, gjë që la përshtypje admirimi te pjesëmarrësit në këtë promovim. Përveç kësaj, ai foli edhe për rëndësinë që e ka mbrojtja e trashëgimisë myslimane në Shkup për ruajtjen dhe konservimin e kësaj pjese të kulturës dhe identitetit tonë.

Dr. Zeqirija Ibrahimi, njëherazi kryeredaktor i revistës “Studime albanologjike”, duke folur për punën shkencore të Institutit, u ndal në veçanti në veprën e fundit “Xhamitë dhe teqetë në Shkup” të autorëve Skender Asani dhe Nora Maliqi Zylali, për të cilën tha se është strumbullari elementar i njohjes së qytetërimit islam në Shkup, që – veç tjerash – është dëshmi e autoktonisë sonë kombëtare në Shkup, por edhe mjet për mbrujtjen dhe mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar e fetar në këtë kryeqendër shpirtërore shqiptare.

Në fund fjalë rasti pati edhe përgjegjësi i botimeve në ITSHKSH, njëherazi kryetar i Këshillit të Institutit, Dr. Sevdail Demiri, i cili bëri një përshkrim të përgjithshëm të veprimtarisë botuese të Institut, duke theksuar titujt më emblematikë që kanë dalë së fundi, si dhe periodikun shkencor që botohet në Institut.

Në fund pati një bashkëbisedim të këndshëm dhe vëllazëror mes bashkatdhetarëve shqiptarë në këtë rajon dhe delegacionit të Institutit, ndërsa tubimi përfundoi me një dhuratë librash që drejtori Skender Asani ia dhuroi drejtorit të Qendrës Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island, Dr. Dhulkarnejn Vardari, dhe Imamit të Qendrës, Dr. Tahir Kukaj.

Aktivitetet vazhdojnë.

Marketing
Exit mobile version