Familja katër anëtarësh e Bashkim Pajazitit nga lagja e Dizhonit të Shkupit, tash e disa vite jeton në kushte tejet të rënda ekonomike-sociale. Nga pamundësia për të punuar kryefamiljari Bashkim Pajaziti, jeta e tyre mori një drejtim krejt tjetër, atë të mjerimit. Pajaziti thotë se më herët ka punuar çdo lloj pune, ndërtimtari apo çdo punë që i është ofruar, mirëpo tani ai ka probleme shëndetësore ku dhe ia pamundëson për të punuar dhe për tu siguruar kafshatën e bukës dy fëmijëve të tij.
“Më herët kam punuar nëpër punë të ndryshme, ndërtimtari apo edhe punë të tjera sa për t’ua siguruar gojën e bukës dy fëmijëve të mi të vegjël. Mirëpo tani më është pamundësuar kjo pasi kam probleme me boshtin kurrizor dhe nuk mundem asnjë lloj pune të bëjë. Banoj me qira gati 9 vite, tash së fundmi në lagjen Dizhon. Ajo që më brengos tani është se pronari i shtëpisë ku jetojë për momentin më ka dhënë afat 3 javor që ta lëshojë shtëpinë, pasi që i njëjti do ta shesë. Nuk e di ku të shkojë dhe si ti ja bëjë, unë të ardhura nuk kam nga askush, jetojë pa ndihma sociale, qiranë e paguaj 4000 denarë, po edhe këto parat e qirasë janë çka mi japin fqinjët, çdo natë nuk po kam me çka ti ushqejë fëmijët, ka ndodhur që edhe pa ngrënë kemi fjetur”, thotë me lot në sy Bashkim Pajaziti.
Ai ka dy fëmijë njërin 9 vjeç dhe tjetrën 6 vjeç, dhe si çdo fëmijë edhe ato kanë ëndrra për një jetë më të mirë por edhe që të kenë një shtëpi të tyren. Kryefamiljari Pajaziti thotë për gazetën KOHA se nuk ka as edhe një familjar që mundë të ia zgjasë dorën dhe për momentin ka mbetur nën mëshirën e fatit, pasi që edhe u kanoset rreziku për të mbetur në rrugë. Kjo familje edhe pse kanë jetuar në këtë shtëpi deri tani kushtet kanë qenë të mjerueshme, sepse vetëm në një dhomë po jetojnë. Apeli i tij është që të del ndonjë njeri human dhe të ua sigurojë një vend strehim pasi që e ka të vështirë që bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët të dal në rrugë, nën qiellin e hapur dhe të kalojë kush e di se sa net aty.
Të gjithë të interesuarit që duan të ndihmojnë këtë familje mundë të kontaktojnë në numrin e telefonit: +389 70 454 579, ose drejtpërsëdrejti në Lagjen Dizhon, përball shkollës fillorë “Imri Elezi”, afër dyqanit Karshiaka. (koha.mk)