Në Maqedoninë e Veriut dyert e shkollave për nxënësit do të hapen vetëm në ato shkolla ku ka kushte për zbatimin e protokolleve për mbrojtje nga koronavirusi i ri.
Në kuadër të masave të reja përfshihet mbajtja e detyrueshme e maskave, organizimi i mësimit me maksimum 20 nxënës në klasë, sigurimi i distancës fizike dhe dezinfektimi i vazhdueshëm e klasave.
Ministrja e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Milla Carovska, pas realizimit të takimeve intensive me drejtorët e shkollave, ka theksuar se po bëhen përpjekje për të eliminuar të gjitha problemet sa i përket fillimit të vitit shkollor në bazë planit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për realizimin e vitit shkollor 2020/2021 në kuadër të zbatimit të protokolleve për prezencë fizike të nxënësve në shkolla si dhe algoritmit sesi duhet vepruar shkollat e caktuara në ato raste nëse paraqitet ndonjë nxënës me simptoma të sëmundjes, COVID-19.
Ministrja Carovska ka bërë të ditur se dikasteri që ajo përfaqëson po punon në shkurtimin e programit mësimor në bazë të ligjit ekzistues, ashtu që program mësimor të mos jetë nën 100 orë mësimore.
Carovska ka theksuar se pavarësisht se në cilën mënyrë zhvillohet mësimi, me prezencë fizike apo në distancë, vlerësimi i nxënësve do të bëhet me prezencë fizike nëpër klasa.
“Po përgatitet udhëzim i posaçëm për vlerësim që është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse mësimi online duhet të ofrojë kualitet maksimal. Vitin e kaluar vlerësimi nuk ishte i rregulluar, tani themi se vlerësimi duhet të realizohet me prezencë fizike dhe kjo duhet të organizohet në grupe, sigurisht nëse gjendja epidemiologjike në komunën përkatëse e lejon një gjë të tillë”, ka theksuar ministrja Carovska.
Drejtorët e shkollave, që kanë numrin më të madh të nxënësve, kanë theksuar se janë në gjendje të sigurojnë kushte vetëm për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë, ashtu siç ka marrë vendim Ministria e Arsimit, por jo për të gjitha klasat.