Kapet në Ekuador 7.3 milionë dollarë kokainë, pakot me flamurin shqiptar

Një sasi kokaine me vlerë 7.3 milionë dollarë është sekuestruar nga policia kombëtare e Ekuadorit në kantonin El Guabo të provincës El Oro.

Marketing

Policia gjeti 122 pako me kokainë, ku disa prej tyre janë të ambalazhuara me flamurin e Shqipërisë. Një 37-vjeçar i identifikuar si Jonathan M. u arrestua pasi transportonte drogën me një kamion.

Agjentët vunë re qëndrimin e dyshimtë të drejtuesve të dy kamionëve dhe një furgoni gjatë operacioneve, duke i ndalur ata.

Shoferët i injoruan urdhrat dhe nxituan të largoheshin por gjatë tentativës për arratisje, një nga kamionët u përplas me një fabrikë bananesh dhe shoferi ia mbathi mes plantacioneve.

Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën thasë me paketime droge që mbartnin shenjën “JP” dhe logon e mafias shqiptare.

Koloneli Juan Carlos Mafla, shefi i policisë së El Oro tha për mediat se kokaina e sekuestruar do të dërgohej në Evropë.