Fshati i vogël Nivici (Psarades) në anën greke të bregut të Liqenit të Prespës, i cili nuk ishte edhe kaq i njohur për opinionin para katër vitesh, u bë simboli dhe asociacioni për Marrëveshja e Prespës më 17 qershor të vitit 2018, pasi atje u nënshkrua marrëveshja, të cilën shumëkush e konsideron si historike, por edhe model për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes 30-vjeçare mes dy vendeve fqinje.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, në praninë e kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, mediatorit negociues Methju Nimic, ish-komisionerit për Zgjerimin e BE-së Johanes Han dhe ish- Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë dhe Siguri, Federica Mogerini dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të dy vendeve.
Tetë muaj pas nënshkrimit dhe pas ratifikimit në të dyja vendet, Marrëveshja hyri në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019.
Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë u riemërua Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia maqedonase/shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore dhe gjuha maqedonase.
Marrëveshja e Prespës hapi rrugën për integrimin e vendit tonë në institucionet euroatlantike, por edhe ngriti nivelin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe tani është aleate e Greqisë në Aleancë, ndërsa pikërisht avionët ushtarakë grekë janë përgjegjës për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore maqedonase.
Në të njëjtën kohë, Prespa i shkriu marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në këto katër vjet ato janë në një nivel të lakmueshëm, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.
Në katër vitet e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje janë përmirësuar dukshëm, pavarësisht nga ndryshimi i qeverisë në Greqi dhe ndryshimet në qeverinë maqedonase.
Marrëdhëniet dypalëshe janë në nivel të lartë, me mundësi thellimi dhe përmirësimi të mëtjeshëm.
Greqia është një nga mbështetësit më të fortë të perspektivës evropiane të vendit, gjë që është vënë në dukje publikisht në të kaluarën nga përfaqësues të lidershipit shtetëror grek.
Marrëdhëniet dypalëshe politike janë kthyer në normalitet
Zgjidhja e kontestit për emrin normalizoi plotësisht marrëdhëniet dypalëshe politike që hynë në një rrjedhë normale, me komunikim të rregullt dhe aktiv të ndërsjellë, përmes takimeve dhe vizitave, dhe rezultoi edhe me vizitën e parë zyrtare në Greqi të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, si dhe vizitën e parë zyrtare të një kryeministri grek në vendin tonë.
Në tetor të vitit 2021, presidenti Stevo Pendarovski ishte kreu i parë i shtetit që vizitoi Greqinë dhe prit në Athinë me nderime të larta, ndërsa më pak se një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes në prill të vitit 2019, kryeministri i atëhershëm grek Aleksis Cipras vizitoi Shkupin dhe mbajti këshillin e parë të bashkëpunimit të nivelit të lartë të përbërë nga përfaqësues të dy qeverive, të drejtuar nga kryeministrat.
Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, si edhe ai i mëparshmi Zoran Zaev dhe ai aktual Dimitar Kovaçevski kanë qenë disa herë në Greqi, në ngjarje të ndryshme në vend dhe në tre vitet e fundit që nga ardhja në pushtet e Demokracisë së Re, janë takuar me kryeministri aktual grek Kirjakos Micotakis.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias ka qenë tre herë në Shkup, ministri i Jashtëm Bujar Osmani e ka vizituar Greqinë disa herë, po ashtu edhe ministra të tjerë të qeverisë që kanë marrë pjesë në evente dhe konferenca të ndryshme tek fqinji jugor.
Megjithatë, ajo që është vonuar është mbajtja e Këshillit të dytë të nivelit të lartë, ratifikimi i tre memorandumeve të bashkëpunimit në Kuvendin e Greqisë dhe ajo që ende nuk është realizuar është vizita zyrtare e presidentit të Greqisë në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Marrëveshjes së Prespës, Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë i kryesuar nga kryeministrat e të dy vendeve, “do të takohet të paktën një herë në vit dhe do të jetë organi përgjegjës për zbatimin e duhur dhe efektiv të kësaj Marrëveshjeje dhe Planit të Veprimit që rezulton nga kjo Marrëveshje.”
Seanca e parë dhe e vetme ndërqeveritare u mbajt në Shkup në prill të vitit 2019, gjatë vizitës së kryeministrit të atëhershëm të Greqisë, Aleksis Cipras.
Edhe pse, pjesa më e madhe prisnin që ndryshimi i qeverisë në Greqi, vetëm një vit pas Prespës, të sillte ndryshime në Marrëveshje, qeveria e Demokracisë së Re ka tre vjet që ekziston, jo vetëm duke respektuar marrëveshjen, por edhe duke bashkëpunuar me palën maqedonase.
“Bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare dhe Greqia respekton marrëveshjet ndërkombëtare, është qëndrimi i Athinës zyrtare në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, duke qenë se Demokracia e Re në pushtet gjatë negociatave, kur u nënshkrua marrëveshja, gjatë ratifikimit ishte opozitë dhe ishte kategorikisht kundër.
Fillimi i bashkëpunimit energjetik
Krahas bashkëpunimit ekonomik që ka ekzistuar para Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut dhe Greqia filluan edhe bashkëpunimin energjetik, me marrëveshjen për ndërtimin e interkonektorit të gazit natyror që do të lidhë dy vendet, si dhe pjesëmarrjen e vendit në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në qytetin grek të Aleksandoupolit.
Projekte këto të planifikuara përpara pushtimit rus të Ukrainës, rëndësia e të cilave është theksuar veçanërisht që nga fillimi i luftës.
Në korrik të vitit të kaluar, Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi dhe ai i Mjedisit dhe Energjisë i Greqisë Kostas, Skrekas nënshkruan marrëveshjen për zhvillimin e interkonjeksionit të gazit natyror ndërmjet dy vendeve, pasuar nga një marrëveshje për bashkëpunim për zhvillim dhe Ndërtimi i interkonektorit për gazin natyror mes Drejtorit Ekzekutiv të Burimeve Kombëtare të Energjisë (NER) Bajram Rexhepi dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Operatorit Kombëtar Grek të Transmetimit të Gazit DESFA Maria Rita Gali.
Kapaciteti fillestar do të jetë 1.5 miliardë metër kub në vit, me mundësi zgjerimi në 3 miliardë metër kub në vit, me të gjithë tubacionin janë bërë studime për të patur specifikimet e duhura për transportin e hidrogjenit të gjelbër dhe projekti vlerësohet të jetë rreth 110 milionë euro.
Qyteti grek i Aleksandroupolit, sipas Athinës zyrtare, synon të bëhet një qendër energjetike në rajon përmes ndërtimit të një terminali të gazit natyror të lëngshëm natyror, i cili do të ndihmojë në diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror, jo vetëm për Greqinë, por edhe për Rajonin.
Në projektin e madh merr pjesë edhe Maqedonia e Veriut dhe muajin e kaluar në prani të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Greqisë, Kirjakos Micotakis, Bullgarisë, Kiril Petkov, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel, është mbajtur një ceremoni solemne me rastin e fillimit të realizimit të ndërtimit të terminalit konkret, i cili pritet të përfundojë për rreth një vit e gjysmë.
Rruga drejt Marrëveshjes së Prespës
Kontesti për emrin filloi menjëherë pas pavarësisë të Maqedonisë dhe pranimit të saj në KB, më 8 prill të vitit 1993. Për shkak të kundërshtimit dhe presioneve nga Greqia, e cila nuk e pranonte emrin kushtetues, anëtarësimi në KB ishte nën referencën e përkohshme Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin i cili zgjati 27 vite u ripërtërinë nga fundi i vitit 2017, ndërsa pas takimeve fillestare të mediatorit Nimic me negociatorët e të dy vendeve bisedimet u ngritën në nivel më të lartë, në nivel të shefave të diplomacive.
Kryeministrat e atëhershëm Zaevi dhe Ciprasi e realizuan takimin e parë tet-a-tet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku janë bërë kompromiset e para: vendi ynë e riemërtoi aeroportin dhe autostradën, ndërsa fqinji jugor e zhbllokoi fazën e dytë të vendit në procesin e Stabilizimit dhe Asociacionit me BE-në dhe na mundësoi që të bëhemi anëtare e Iniciativës Adriatik-Jon.
Takimi në Davos u pasua nga një sërë takimesh mes krerëve të dy diplomacive, me ose pa mediatorin Nimic, negociata të drejtpërdrejta, bisedime, konsultime, ku takimi kyç në bisedime ishte takimi Zaev-Cipras në margjinat e Samitt BE- Ballkani Perëndimor në Sofje, gjatë presidencës Bullgare me BE-në.
Më 12 qershor të vitit 2018, Zaevi dhe Ciprasi në një bisedë telefonike konfirmuan marrëveshjen, më pas njoftuan opinionin në vendet e tyre dhe pesë ditë më vonë u nënshkrua Marrëveshja.
Marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 dhe 845 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe për të vendosur një partneritet strategjik midis palëve është titulli zyrtar i Marrëveshjes.
Në fshatin Nivici, në ceremoninë solemne të datës 17 qershor 2018, nënshkrimet e Marrëveshjes u bënë nga krerët e atëhershëm të dy diplomacive, Dimitrov dhe Koxias, të cilët ishin edhe arkitektë të Marrëveshjes, duke i rakorduar qëndrimet, sidomos pasi që negociatat u ngritën në nivelin e shefave të diplomacive.
Neni 7 bën një dallim të qartë se termi Maqedoni dhe maqedonas në Greqi nënkupton pjesën helenike të historisë. Është vërtetuar se Maqedonia dhe maqedonas në kontekstin tonë karakterizojnë territorin tonë, gjuhën tonë, popullin me të gjitha atributet, historinë, kulturën dhe trashëgiminë – të ndryshme nga ato në Greqi.