Turqia si duket ju ka dhënë fund paqartësive rreth mundësisë që të vendos veto për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Zv.ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Faruk Kajmakxhi, në një intervistë për AIM ka thënë se autoritetet në Maqedoni duhet të jenë të qetë dhe se Turqia do ta ratifikojë protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO.
Sipas Kajmakxhi, shtyrja e ratifikimit të protokollit është për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve në Turqi dhe mosfunksionimit të Kuvendit Kombëtar.
“Jini të qetë, nuk ka asnjë pengesë. Ne jemi mbështetësi më i madh i juaj në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe kemi për qëllim në kohë sa më të shkurtë ta ratifikojmë protokollin për anëtarësim në NATO”, tha Kajmakxhi.
Megjithatë, ai pret që Maqedonia pozitivisht t’i përgjigjet kërkesës për deportimin e gylenistëve nga Maqedonia, veprim për të cilin tha se do të ndikonte në marrëdhëniet në mes dy vendeve.
Ministria e Drejtësisë nuk zbulon deri ku është procesi për ekstradimin e 15 personave, për të cilët Turqia ka dorëzuar kërkesë.
Ndryshe, protokollim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO deri tani e kanë ratifikuar 12 shtete, nga gjithsej 29 anëtare.