Kërçovë, mbahen takimet poetike ndërkombëtare

Gjatë dy ditëve të kaluara në Kërçovë u mbajtën takimet poetike ndërkombëtare “Hyjnesha Ilire Thana” të organizuara nga klubi i shkrimtarëve shqiptar “Penestia”, ku morën pjesë krijues nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Marketing

Në qendër të vëmendjes në mbrëmjen e parë të takimeve poetike “Hyjnesha ilire Thana” ishin homazhet poetike për dy krijuesit kërçovar që nuk jetojnë më, Begzat Rrahmani dhe Xhevdet Ukalli, të cilët sivjet nuk janë në mesin e poetëve të këtij manifestimi.

Pasi u lexuan vargje nga përmbledhjet e tyre, Për dy poetët e ndjerë Begzat Rrahmani dhe Xhevdet Ukalli, Klubi i shkrimtarëve “Penestia” ndau mirënjohje “Post-mortum”.

Manifestimi i pestë me radhe i takimeve poetike vazhdoi me orën letrare ku poetët prezentuan pjesë të krijimtarisë së tyre poetike.

Ndërkaq të nesërmen Poetët pjesëmarrës vizituan Qendrën memoriale “Nëna shqiptare” në Zajaz, ku i shpalosën përshtypjet e tyre për vlerat historike që duhet të respektohen dhe të merren si frymëzim për krijime poetike.

Në mbrëmjen e fundit të këtij manifestimi tradicional që mbështetet nga komuna e Kërçovës, u promovua Antologjia “Hyjnesha Thana” me mbi 60 autorë, përmbledhja me poezi “Kthimi i pamundshëm” i autorit të ndjerë Xhevdet Ukalli dhe shumë tituj të tjerë për të cilat folën recenzentët dhe redaktorët e tyre.