Kërçovë, zgjidhet problemi me ujërat e zeza (Video)

Komuna e Kërçovës ka fituar një impiant të ri për trajtim të ujërave të zeza, me çka është zgjedhur problemi me ujërat e zeza në komunë dhe janë rritur standardet për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Impianti për pastrimin e ujërave të zeza gjendet në afërsi të Kërçovës dhe është me kapacitet të instaluar për 48.000 banorë. Realizimi i projektit përfshin edhe ndërtimin e kolektorit dhe rrugës për qasje tek impianti.

Marketing

Në shënimin e fillimit të punës së impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Kërçovë, Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike dhe koordinimin me sektorët ekonomik Koço Angjushev, theksoi:

„Projekti përfaqëson hap të madh drejtë mbrojtjes së mjedisit jetësor të rajonit dhe me implementim të kësaj zgjidhje inovative, standardet e jetës evropiane janë përcjellur këtu.“, deklaroi zëvendëskryeministri. Që Maqedonia të jetë plotësisht e pajisur me impiante, duhet që gjithsej të ndërtohen 87. Ky është projekti i 16 i suksesshëm në kornizat e IPA.

Projekti për ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza në Kërçovë është financuar nga Bashkimi Evropian me anë të Instrumentit për Ndihmë Para Aderuese (IPA), nga pjesa për zhvillim rajonal – komponenta e tretë. Vlera e përgjithshme e Impiantit për pastrimin e ujërave të zeza në Kërçovë është 8.3 milion euro. Në hapjen u drejtua të pranishmëve edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Samuel Zhbogar.

“Ky projekt është pjesë e aktiviteteve të financuar nga BE për avancimin e infrastrukturës që mundëson mbrojtjen e mjedisit jetësor në përputhje me standardet e BE-së me anë të ndërtimit të impianteve për pastrimin e ujërave të zeza. Paralelisht me investimet në infrastrukturë, BE-ja gjithashtu punon bashkë me shtetin edhe në reforma në sektorin e ujit, me qëllim të sigurohen shërbime të qëndrueshme për furnizimin e ujit për të gjithë qytetarët”, theksoi Ambasadori Zhbogar.

Projekti për ndërtimin e impiantit është realizuar në bashkëpunim me Sektorin e BE-së pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Sektorit për Financim Qendror dhe Kontraktim pranë Ministrisë së Financave. Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor Sadulla Duraki, ka theksuar rëndësinë e projektit për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe njëkohësisht njoftoi se realizimi i suksesshëm i këtij projekti është parakusht për realizim të një projekti edhe më të madh për komunën e Kërçovës në kornizat e IPA 2, që parasheh rehabilitim dhe ndërtim të rrjetit të ri të kanalizimit me gjatësi prej afërsisht 100 kilometra.

Impianti në Kërçovë do të jetë me rëndësi të madhe për banorët e kësaj rrethine si dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës.

“Punojmë me dedikim në zgjidhjen e çështjeve të hapura në komunë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes dhe të nxitjes së zhvillimit lokal ekonomik. Në këtë proces mbrojtja e mjedisit jetësor është me rëndësi të madhe, andaj, kjo mbështetje e pushtetit qendror dhe veçanërisht nga BE-ja është me rëndësi të madhe, për të cilën jemi shumë falënderues”, theksoi Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës.

Ndërtimin e Impiantit për Pastrimin e Ujërave të Zeza në Kërçovë e ka realizuar kompania WTE Group, që është në pjesë e EVN Grupacionit. WTE Group është kompani prijëse për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza në tregun e BE-së, e pranishme në 18 vende evropiane me projekte në këtë fushë.

“Një kënaqësi e madhe për ne paraqet mundësia të punojmë në ndërtimin e Impiantit për Pastrimin e Ujërave të Zeza, sepse trajtimi i ujërave po bëhet një prej çështjeve më të rëndësishme. Jemi krenar që si lider në Evropë në këtë segment kemi pasur mundësinë të transferojmë njohurinë dhe përvojën tonë. Ky objekt është ndërtuar sipas standardeve më të larta dhe sinqerisht shpresojmë që do të kemi mundësi të bashkëpunojmë edhe më tutje”, theksoi Verner Kazagrande, anëtar i Bordit Ekzekutiv të WTE Group.

Impianti në Kërçovë është ndërtuar në afat më të shkurtë se dy vite dhe është impianti i dytë që lëshohet në përdorim në kuadër të projektit. Impianti i parë për pastrimin e ujërave të zeza ishte lëshuar në përdorim në fund të vitit të kaluar dhe gjendet në f. Saçeve, Strumicë. Së shpejti pritet të lëshohet në përdorim edhe impianti i tretë që gjendet në Radovish. Vlera e plotë e këtyre objekteve është 21 milion euro.

Marketing