Rreth 1 miliardë njerëz janë vaksinuar tërësisht tashmë në të gjithë botën por qeveritë e huaja kanë dëshirë të përdorin çdo metodë të mundshme, për të shëruar plagët e shkaktuara nga turizmi gjatë vitit të vështirë që lamë pas.
Jashtë Evropës, shumë shtete po marrin një hap më tej, përtej dispozitave të ofruara nga sistemi i Kartës Digjitale të BE (EUDÇ), e cila të lejon të udhëtosh brenda kontinentit nëse paraqet provën e vaksinimit apo test negativ.
Po ndërmerren iniciativa që përfshijnë bërjen e një vaksine brenda çmimit të akomodimit, doza falas të ofruara në qendrat kulturore të qyteteve, etj, transmeton Euronews.
Këto janë 5 shtete të cilat ose e kanë në plan, ose po i administrojnë tashmë vaksinat anti-COVID për turistët e tyre.
5 – SHBA
Disa shtete në SHBA po u ofrojnë vizitorëve një shans për t’u vaksinuar duke përdorur një dozë të vetme të Johnson&Johnson pa vendosur një takim paraprak. Në fakt, Nju Jork City po ofron doza të kësaj vaksine me anë të qendrave të ngritura në pika turistike si Times Square, që prej muajit maj.
Shteti i Alaskës ka ndjekur të njëjtën rrugë, teksa autoritetet vendase konfirmojnë se vizitorët mund të marrin një dozë Pfizer ose Moderna, që në momentin që mbërrijnë në aeroport.
Të tjera shtete po përfitojnë nga tepricat e tyre për t’u ofruar turistëve vaksina, si Arizona, Florida, Luiziana dhe Teksas.
4- Maldivet
Autoritetet turistike kanë konfirmuara tashmë se në momentin që e gjithë popullata vendase e ishullit të jetë vaksinuar tërësisht, ata do të nisin një skemë të titulluar ‘Vizito, Vaksinohu, Pusho”.
Maldivet njihen gjerësisht si një qendër pushimi dhe relaksimi për miliona vizitorë gjatë gjithë vitit, dhe që në fillim të sezonit ka arritur të mirëpresë mbi 400,000 turistë.
Edhe pse kjo skemë mund të mos nisë brenda verës, Maldivet tashmë kanë vaksinuar 41 % të popullsisë adulte – ndaj priten të jenë të gatshme ta nisin atë gjatë muajve mars dhe prill të vitit që vjen.
3- Emiratet e Bashkuara
Që nga muaji qershor, turistët kanë pasur mundësi të marrin një dozë ose nga Pfizer ose Sinopharm, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara, Abu Dhabi.
Rezervimet mund të bëhen me anë të një aplikacioni për COVID-19 duke vendosur informacionet e pasaportës që verifikon statusin tuaj të vizitorit që më pas ju lidh direkt me vizën tuaj turistike.
2- Bali, Indonezi
Ky ishull që po bëhet gjithnjë e më i famshëm për të kaluar pushimet perfekte ka ndërmarrë hapa gjigandë për të inkurajuar turistët që të vizitojnë plazhet e jashtëzakonshme të Balit – i cili shumë shpejt do të ofrojë paketa turistike që përfshijnë një dozë të vaksinës bashkë me akomodimin dhe fluturimin.
Indonezia po kalon një periudhë të vështirë dhe numër të lartë të rasteve të COVID-19, ndaj edhe momenti kur kjo iniciativë do të bëhet e mundur është një vendim që pritet të merret nga Presidenti Joko Widodo.
Vizitorëve do t’u jepet një dozë e AstraZeneca ose Sinopharm.
1- Rusia
Rusia me sa duket ka filluar të kursejë furnizimet e saj të vaksinave, për të parë si një mundësi përfitimi, ofrimin e tyre ndaj turistëve, me një kosto nga €1,200 në €2,200 euro për një dozë të Sputnik V.
Ky lajm ka shkaktuar goxha konfuzion duke marrë parasysh faktin që ende turistët nuk kanë mundësi të marrin një vizë vizitorësh nga shteti rus.
“Produkti është gati, por problemi i vizave dhe hyrjeve te ligjshme për të huajt që duan të bëjnë vaksinën ruse pritet të zgjidhen së shpejti,” tha Andrei Ignatyev, Presidenti i Sindikatës ruse të Industrisë së Turizmit.