KFOR-i rrit praninë në urën mbi Ibër

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër më 31 gusht.

Marketing

Mbi këtë urë, që ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë, me atë të Veriut të banuar me shumicë serbe, përveç makinave, është parë edhe një kordon i pjesëtarëve të KFOR-it.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur KFOR-in pse ka rritur praninë mbi urë, por nga ky mision nuk kanë kthyer përgjigje.

Por, një pjesëtar i forcave italiane të KFOR-it në urën i Ibrit i tha korrespondentes së REL-it në terren se, gjatë ditës së sotme, “nuk pritet ndonjë gjë e veçantë” dhe se ato gjenden aty “për shkak të operacioneve rutinore”.

Rritja e pranisë mbi këtë urë vjen një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës.

Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ekzekutivi kosovar po ashtu është përballur me kritika kohëve të fundit nga bashkësia ndërkombëtare sepse ka shprehur synimin që ta hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i janë shprehur kundër hapjes së urës tani. KFOR-i dhe BE-ja kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po ashtu ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

KFOR-i ka prani të përhershme në urën mbi lumin Ibër./REL

Marketing