Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka lëshuar një reagim pas lajmit për kidnapimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri.
Rama tha se po pret që rasti të hetohet nga KFOR-i para se ta bëjë të ditur qëndrimin e tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka thënë Rama.
Ai tha se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe do të veprojë si e tillë, duke mos reaguar menjëherë pa fjalën përfundimtare të KFOR-it në këtë rast.
“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat!”, tha ai.