Komisioni i Politikës së Jashtme, Osmani: Prioritet BE, me fokus Bullgarinë

Eurointegrimet mbeten prioritet i Ministrisë për Punë të Jashtme edhe gjatë vitit 2021, deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani. Në fjalimin e tij në Komisionin për Politikë të Jashtme, Osmani numëroi të arriturat në fushën e diplomacisë brenda vitit. Anëtarësimin në NATO e cilësoi të arritur kulminante, për të vijuar me tregun e përbashkët rajonal, diplomacinë ekonomike, emërimin e ambasadorëve, vendimet për kryesimin e fondeve të Ballkanit Perëndimor dhe me OSBE-në. Fokusi për momentin është Bullgaria, tha Osmani.
“Opsioni më i mirë mbetet akoma me vullnet të mirë të intensifikohet zbatimi i Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, kthimin e besimit nga ana e Bullgarisë në efektivitetin dhe implementimin e tij. Edhe përkundër sfidave aktuale në marrëdhëniet bilaterale në fokusin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme do të jenë vazhdimi i konsultimeve politike mes dy ministrive, shpeshtimin e vizitave zyrtare dhe takimeve të nivelit të lartë.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Milloshovski: Të thuhen përgjegjësit për dështim të datës
Kryetari i Komisionit, Antonio Milloshovski, kërkoi gjetjen e përgjegjësve për dështimin e marrjes së datës, që të vazhdohet më lehtë me integrimin.
“Të dimë se kush është përgjegjës për atë që shteti ka thënë se në vitin 2018 ka datë për nisje të bisedimeve, ndërkaq përfaqësues të njëjtë sot thonë se nuk ka datë. Nëse lokalizojmë përgjegjësinë politike më mirë do të përballemi me sfidën gjatë vitit 2021, në të kundërtën ky fjalim s’do dallojë nga fjalimet e ish ministrave të tjerë.”,- theksoi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Antonio Milloshovski.
Nga Lëvizja Besa thonë se vendi nuk ka opsion tjetër përpos BE-së, duke tejkaluar ndasitë historike me Bullgarinë.
“Me Republikën e Bullgarisë kemi marrëveshje e cila duhet të respektohet dhe të implementohet tërësisht dhe në procesin e mëtutjeshëm të shfrytëzohen të gjitha instrumentet diplomatike dhe shtetërore për t’u tejkaluar pengesat deri në atë që mos të kemi pengesa edhe nga ana e Republikës së Bullgarisë në këtë proces.”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.
Në fillim të vitit 2021, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të realizojnë takimin e komisionit ndërqeveritar për zbatimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë.  Do të synohet intensifikim I bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit, ekologjisë dhe transportit. Ekspertët e historisë pritet të vazhdojnë bisedimet me 5 takime shtesë.
Marketing